Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka nisur nga Kosova turin e tij në rajon, ndërsa zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e tij Donika Gërvalla.
Në fjalën e tij, pasi u pyet mbi rrezikun për sulme të tjera në veri të Kosovës, Hasani, teksatheksoi mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë, dha edhe një mesazh për Serbinë teksa u shpreh se nuk është më koha kur i çohen ushtri fqinjit te kufiri.
“Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria, në çdo rast Shqipëria do të jetë pranë Prishtinës dhe pranë gjithë shqiptarëve të Kosovës. Ne ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufi të Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shek.XXI, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri dhe askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojën që është qesharake pasi të gjithë jemi të qartë që garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO, ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.
Lidhur me sulmin në Banjskë , Hasani theksoi se autorët dhe organizatorët duhet të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi. Ai i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shtyjnë përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve mbi punët që duhet të bëjmë të gjithë sëbashku për të mirën e rajonit. Rajoni është duke kaluar sot një moment delikat, ku siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuar se çdo moment tjetër. Sulmi në veri të Kosovës ishte një akt kriminal. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Autorët, organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë, kjo është e domosdoshme për të parandaluar të tjera përshkallëzime. Çdo gjë që është pranuar dhe rënë dakord duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Ne i bëjmë thirrje partnerëve tanë që të shtyjnë përpara dialogun”, deklaroi Hasani.
Kryediplomati shqiptar bëri me dije po ashtu se diskutoi me Gërvallën edhe mbi çuarjen përpara të axhendës së përbashkët të dy vendeve. Hasani u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioriteti kryesor i kryesisë së shqiptare të Kartës së Adriatikut.
“Diskutuam si do ta çojmë përpara axhendën tonë të përbashkët. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritete e kryesisë shqiptare të Kartës së Adriatikut përgjatë 2024. Sa i përket integrimit në BE, kjo është pika kryesore që Shqipëria ngre në takimet me partnerët tanë. Integrimi i plotë i rajonit në BE është e vetmja mënyrë për të ndërtuar paqen në rajon.
Jemi gati të ndihmojmë dhe mbështesim Kosovën në procesin e integrimit duke ndarë eksperiencën tonë. U dakordësuam për rëndësinë e shtimit të përfaqësimit të përbashkët diplomatik dhe të nxisim e intensifikojmë më tej punën për mërgatën shqiptare nëpër botë. Në funksion të këtyre ideve që kemi diskutuar, si pjesë e strukturimit të Ministrisë për Evropën dhe punët e jashtme, ne do të kemi së shpejti edhe një drejtori të posaçme dedikuar koordinimit të punës me faktorin shqiptar në rajon”, u shpreh Hasani.
/rtsh.al/