Kandidatja demokrate për president të SHBA-së Kamala Harris publikoi të shtunën një letër nga mjeku i saj, ku shkruhet se Harris gëzon shëndet të plotë dhe është e përshtatshme për të përmbyshur detyrën e lartë, kjo me sa duket për të vënë në dukje ndryshimin me rivalin e saj demokrat Donald Trump.
Në letrën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, mjeku i zëvendëspresidentes Joshua Simmons, thotë se në ekzaminimin e fundit që iu nënshtrua në muajin prill, në shendetin e Harris nuk kishte ndonjë gjë jo normale dhe se ajo vijon të mbajë një stil aktiv jetes dhe një dietë shumë të shëndetshme, pavarësisht axhendës së ngjeshur, por edhe që vuan nga alergjitë e stinës, nuk pi duhan dhe konsumon alkol në mënyrë të moderuar. "Harris zotëron të gjitha aftësitë fizike dhe mendore për të përmbyshur me sukses detyrën e presidentit, shkruan Simmons.
Harris, 59 vjeç, kandidon përballë Trump, 78 vjeç. Të dhënat e saj mjekësore i bëri publike pasi synon të tërheqë vëmendje tek refuzimi i Trumpit për të bërë një gjë të tillë, siç u shpreh një ndihmës i zëvendëspresidentes. Stafi i fushatës së Harris është përqëndruar tek mosha e ish presidentit, i cili bëhet kandidati më i vejtër për Shtëpinë e Bardhë pasi presidenti Xho Bajden 81 vjeç u tërhoq nga gara pas një performance të dobët në debatin që pati me Trump.
Analistët thonë se duke vënë në dukje ndryshimin me moshën e Trumpit, sëbashku me përqasjen e ndryshme që dy kandidatët kanë ndaj transparencës, Harris synon të bindë votuesit e pavendosur se është më e përshtatshme për detyrën se sa Trumpi. Në vitin 2018, kur trump ishte president, një mjek i Shtëpisë së Bardhë raportoi se në atë kohë ai ishte në gjendje të shkëlqyer shëndetësore, por duhej të binte në peshë dhe të fillonte të bënte ushtrime fizike. Pasi Trumpi i mbijetoi atentatit në Pensilvani në korrik të këtij viti, i njëjti mjek u shpreh se ish presidenti gëzonte shëndet të mirë. Harris ndërkohë i nënshtrohet çdo vit procedurave si kolonoskopia dhe mamografia, pasi e ëma ka ndërruar jetë për shkak të kancerit të zorrës së trashë.
Gazetare Elda Pepa
/ rtsh.al /