Kanë kaluar vetëm pak orë nga hapja e Tunelit të Murrizit dhe drejtuesit e mjeteve që po e shfrytëzojnë atë shprehen të kënaqur me veprën infrastrukturore, e cila shkurton kohën e lëvizjes drejt destinacioneve kombëtare.
Entuziazmin e tyre e përcolli ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke postuar një video me reagimet e qytetarëve duke kaluar për herë të parë në tunelin gati 3.800 metra të gjatë.
Tuneli i Murrizit është pjesë e Rrugës së Arbrit, që lidh Tiranën me Dibrën dhe më tej me Maqedoninë e Veriut, duke shërbyer si një lidhëse midis lindjes dhe perëndimit.
"Mirëmëngjes me zërin e qytetarëve, jo vetëm të Dibrës, për tunelin e Murrizit, veprën më komplekse të Rrugës së Arbrit, i cili prej ditës së djeshme është një realitet që hap një faqe të re për të gjithë Shqipërinë," shkroi ministrja Balluku në faqen e saj në Facebook.
/rtsh.al/