Rreth 1.200 policë do të angazhohen ditën e sotme për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita si reagim ndaj mbylljes së platformës TikTok.
Organizatorët kanë kërkuar 2 orë lejë për zhvillimin e protestës, duke nisur nga 19:00 deri në 21:00 të së shtunës.
Sipas shkresës së dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, PD-ja ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen para godinës së kryeministrisë.
Për këtë arsye, masa për të veshur me mjete metalike janë marrë për dritaret, hyrjen kryesore dhe strehën plastike të godinës qeveritare.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Edhe kamerat me rezolucion të lartë të vendosura përgjatë bulevardit do t'i shërbejnë planit të masave të policisë për të identifikuar shkelës të mundshëm të ligjit.
Kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të vendoset një orë para nisjes së protestës.
Një pjesë tjetër e efektivëve do të qëndrojnë në godinat e tjera, si Parlamenti, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Brendshme nëse nga protestuesit mund të ketë ndonjë marshim të mundshëm.
Burime thonë se detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/