RTSH 24 Live

Sociale

1 në 7 adultë të sëmurë kronikë nga veshkat, rekomandohen kontrolle periodike

3 orë para

1 në 7 adultë të sëmurë kronikë nga veshkat, rekomandohen kontrolle periodike

Statistikat botërore tregojnë se mbi 850 milionë persona në të gjithë botën vuajnë nga sëmundja e veshkave, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë dijeni se janë të sëmurë.

Mjekja nefrologe Marsida Duli sqaron disa nga arsyet që çojnë në dëmtimin e veshkave, duke sugjeruar dhe kontrolle periodike.

"Veshka nuk dhemb, nuk paralajmëron që po sëmuret. Duhet ta kontrollojmë të paktën një herë në vit funksionin e veshkave tona. Kontrolli është minimalist, mjafton një analizë gjaku, ku ne e shohim funksionin e veshkës përmes kreatinemisë dhe filtrimit glomerular, si dhe një analizë urinë. Përdorimi pa kriter i medikamenteve është një shkaktar tjetër i dëmtimit të veshkave, sidomos disa preparate, një gjeneratë e caktuar antibiotikësh ose trajtuesve të dhimbjes, siç janë Ibuprofeni, Voltareni e shumë preparate të tjera, pa kriter, pa përshkrim mjeku, por njëkohësisht hipertensioni, i cili nga njëra anë shkaktohet nga vetë veshka dhe nga ana tjetër dëmton veshkën," tregon Dr. Duli

Diagnostikimi që në moshë të hershme është mjaft i rëndësishëm dhe kujdesi ndaj fëmijëve duhet të shoqërohet me një dietë të shëndetshme, larg konsumimit të ushqimeve të konservuara.

"Nganjëherë mendohej që është një pretekst të vajturit në banjë, urinimi. Duhet të jenë shumë vigjilentë edhe edukatoret, mësuesit, por njëkohësisht edhe prindërit. Kujdes me peshën, me obezitetin," thotë mjekja nefrologe.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2020, vdekjet nga sëmundjet e veshkave në Shqipëri arritën në 399 ose 1,39 për qind të totalit, duke u renditur e 14-ta në listën e sëmundjeve shkaktare të vdekjeve në vendin tonë.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/