Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbajnë ditën e nesërme zgjedhjet presidenciale, dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris dhe Donald Trump kanë shpenzuar më shumë se 2.3 miliardë dollarë në garën 15-javore midis tyre.
Demokratët kanë shpenzuar më shumë se republikanët me një total prej rreth 1.4 miliardë dollarë deri në 933 milion dollarë.
Për krahasim, gjatë 15 javëve të fundit të fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, shifra ishte prej rreth 1.7 miliardë dollarësh reklama për garën e Shtëpisë së Bardhë. Demokratët kryesuan republikanët me rreth 1 miliard dollarë deri në 631 milion dollarë, sipas të dhënave nga gjurmimi i reklamave.
Në vitin 2024, shtatë shtete kritike të fushëbetejës elektorale si Pensilvania, Miçigani, Xhorxhia, Wisconsin, Karolina e Veriut, Arizona dhe Nevada – përbëjnë afërsisht 80% të të gjithë shumës së reklamave të shpenzuara gjatë periudhës ndërmjet tërheqjes së Bidenit dhe ditës së zgjedhjeve.
Pensilvania, përbën afërsisht një të pestën e të gjitha shpenzimeve për reklama gjatë garës së paprecedentë të fushatës elektorale, duke tërhequr më shumë se gjysmë miliardë dollarë dhe duke u paraqitur si objektivi kryesor për të dyja palët.
Ndërkaq, Harris dhe Trump vazhdojnë të lançojnë reklamat e tyre televizive në hapat e fundit duke dhënë mesazhin e tyre përmbyllës për votuesit.
Ata nënvizojnë përpjekjet intensive për të marrë mesazhin e tyre përfundimtar përpara votuesve. Të dy kandidatët kanë prodhuar spote të gjata duke u përpjekur të përmbledhin fushatat e tyre dhe të japin një apel përfundimtar.
Të dielën pasdite, fushata e Harris u përmblodh me një spot dy-minutësh që shfaq kandidaten duke folur para kamerës, duke rrëfyer përvojën e saj gjatë fushatës së ngjeshur dhe duke u zotuar se “do të jetë një presidente për të gjithë amerikanët”.
“Gjatë gjithë kësaj fushate, kam parë më të mirën e Amerikës. Dhe unë kam parë atë që ju pengon dhe ju rëndon. Kostot e larta, të drejtat themelore dhe politika që kanë nxitur frikën dhe ndarjen” shprehet Harris.
Dhe të dielën e kaluar, fushata e Trumpit u përmblodh me reklamën e saj dy-minutëshe, duke promovuar rekordin e mandatit të parë të Trump dhe duke përshëndetur vendimin e tij për të kandiduar për president për herë të tretë si dhe duke shfaqur momente dramatike nga fushata e vitit 2024, përfshirë pamjet e atentatit të parë ndaj ish-presidentit.
Reklama e Trumpit përmban rrëfime të tij dhe disa video nga fushata.
“Vendi ynë ka shkuar në ferr. Kështu që mora një vendim për të kandiduar. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri, më e madhe se kurrë më parë”, thotë Trump në reklamën e tij.
/rtsh.al/