RTSH 24 Live

Politikë

Grupi i Berishës gati për protestën e 20 shkurtit, Paloka: Vetëm kur mori zjarri Parlamenti pati reagime

12/02/2024

Grupi i Berishës gati për protestën e 20 shkurtit, Paloka: Vetëm kur mori zjarri Parlamenti pati reagime

Deputeti Edi Paloka duke folur në mbledhjen e Këshillit të Rithemelimit ka deklaruar se grupi opozitar i drejtuar nga Berisha po organizohet për protestën e 20 shkurtit që përkon me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Palokës, grupi opozitar ku i bën pjesë ndodhet në situatë mjaft të vështirë ku lideri i opozitës është “ arrest shtëpie”. Ndërsa shtoi se opozitës i janë hequr të gjitha të drejtat e saj kushtetuese në Kuvend.

Jemi në kushtet kur lideri i opozitës tashmë politikisht është në ‘arrest shtëpie’. Në parlament Rama pothuajse e ka përjashtuar opozitën nga të gjitha mundësitë që ka një deputet për të reaguar, për të ngritur zërin e qytetarëve që e kanë zgjedhur.

Megjithatë siç edhe e keni ndjekur, grupi parlamentar ka muaj që reagon fuqishëm, do të vazhdojë qëndresën. Ka pasur reagime jo të pakta edhe nga mediat dhe institucionet ndërkombëtare për ti plotësuar detyrimet kushtetuese opozitës.

Dua të ju kujtoj se të gjitha këto reagime  edhe të medieve dhe të institucioneve erdhën vetëm ditën kur parlamenti mori zjarr. Nuk e them për të nxitur asgjë përpara 20 shkurtit, por për ta pasur të qartë të gjithë se nëse ne nuk reagojmë, as ndërkombëtarët nuk do të na i kenë pas”, u shpreh Paloka.  

Ai shtoi se në protestën e 20 shkurtit “kushdo që ka një pakënaqësi për të shprehur le të dalë atë ditë dhe ta shprehi. Kanë ngelur edhe 8 ditë. Ne duhet të jemi të gjithë në terren. Sot grupi i PD zhvilloi mbledhjen e parë në PD, pas kaq kohësh

Duke iu referuar arrestit shtëpiak të Berishës, Paloka theksoi se grupimi opozitar ku ai bën pjesë duhet të bëjë shumë herë më shumë që në 20 shkurt “t’i tregojmë kujtdo, që ne nuk pajtohemi me më diktaturën.”

Duket si formalitet, por është një hap i madh, drejt bashkimit të të gjithë strukturave të opozitës. Tani që Berisha është në ato kushte që është, duhet të bëjmë 10 herë më shumë. Berisha është me ne, por duhet të dhjetëfishojmë punën tonë që më 20 shkurt t’i tregojmë kujtdo, që ne nuk pajtohemi me më diktaturën”, tha më tej Paloka.

/rtsh.al/