RTSH 24 Live

Greqi

Greqia “bllokohet” nesër nga protestat. Ambasada amerikane apel shtetasve të saj: Shmangni zonat e tubimit

27/02/2025

Greqia “bllokohet” nesër nga protestat. Ambasada amerikane apel shtetasve të saj: Shmangni zonat e tubimit

Greqia përgatitet të përjetojë një prej grevave dhe protestave më të fuqishme të viteve të fundit.

Në ditën e përvjetorit të dytë nga tragjedia e Tempit në 28 shkurt 2023, kur dy trena u përplasën dhe 57 pasagjerë, shumica studentë, humbën jetën, sindikatat, qytetarët dhe organizatat kanë planifikuar greva mbarëkombëtare dhe demonstrata masive brenda dhe jashtë Greqisë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi grekët të mërkurën kundër çdo dhune gjatë protestave të planifikuara për të shënuar dy vjet nga një aksident vdekjeprurës treni këtë javë, duke thënë se postimet provokuese në internet synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri politike.

Duke kërkuar drejtësi për 57 viktimat dhe përmirësim të sigurisë së transportit, është njoftuar se transporti ajror, detar dhe hekurudhorë do të ndalet pasi punëtorët do t'i bashkohen një greve 24-orëshe të thirrur nga sindikatat për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Ndërsa kanë njoftuar se do t'i bashkohen protestave të së premtes edhe bizneset e vogla, restorantet, personeli i ambienteve sportive, teatrove, bareve dhe klubeve të natës.

Dhjetëra mijëra grekë mbajtën protesta muajin e kaluar, duke i kërkuar qeverisë të identifikojë dhe të ndëshkojë fajtorët.

Qeveria e qendrës së djathtë të Mitsotakis, e cila fitoi një mandat të dytë pas aksidentit, është përballur me kritika të vazhdueshme nga të afërmit e viktimave për dështimin për të hetuar ndonjë përgjegjësi politike për aksidentin. Disa parti opozitare kanë akuzuar qeverinë për fshehjen e provave dhe i kanë kërkuar asaj të largohet.

Ajo që ka bërë që qytetarët të dalin në rrugë dhe të protestojnë tashmë masivisht është fakti se dy vjet pas aksidentit tragjik, jo vetëm që nuk është gjendur asnjë fajtor, por sipas qytetarëve grekë, janë bërë përpjekje nga politikanët në fuqi edhe nga drejtësia "që të mbulohen shumë prej provave të kësaj ngjarjeje".

Në sondazhe, 68% e grekëve nuk besojnë se do të vendoset drejtësia për aksidentin e Tempit. 77% shprehen se nuk janë të kënaqur me përpjekjen e qeverisë për zbardhjen e çështjes, 74% japin të njëjtën përgjigje negative për drejtësinë greke, por edhe 71% për opozitën parlamentare, e cila kritikon vazhdimisht kryeministrin Mitsotakis se është përpjekur të mbulojë çështjen.

Pothuajse 6 nga 10 grekë kanë deklaruar se do të dalin në rrugë ditën e 28 shkurtit.

Njëkohësisht organizohen tubime në më shumë se 70 qytete të mëdha të vendit, si dhe në ishuj apo komuna ku ato pritet të jenë të përmasave të pazakonta.

Gjithashtu në kujtim të 57 viktimave të tragjedisë , 5 prej të cilëve me origjinë shqiptare, janë thirrur tubime protestash në shumë kryeqytete të Europës.

Ambasada dhe Konsullata Amerikane në Greqi ka bërë sërish apel për shtetasit e saj që të kenë kujdes gjatë protestës që pritet të mbahet ditën e premte. Në reagimin e saj, duke e quajtur “Informacione emergjente për qytetarët amerikanë”, ambasada njofton mbi orën dhe vendet e grumbullimi të protestuesve duke specifikuar dhe arsyet e organizimit.

Shmangni zonat e demonstrimit, tregoni kujdes nëse papritur jeni në afërsi të tubimeve të mëdha ose protestave, jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj, mbani një profil të ulët, monitoroni mediat lokale për përditësime, rishikoni planet tuaja të udhëtimit dhe kontaktoni kompaninë tuaj të udhëtimit për ndihmë”-bëhet e ditur në njoftimin e ambasadës.

/rtsh.al/