RTSH 24 Live

Aktualitet

Goditja e lëvizjes Houthi në Jemen, Peleshi: Shqipëria në krah të aleatëve!

12/01/2024

Goditja e lëvizjes Houthi në Jemen, Peleshi: Shqipëria në krah të aleatëve!

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë mbështet reagimin e partnerëve të saj perëndimorë, SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj objektivave ushtarake të lëvizjes Houthi në Jemen.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se Shqipëria qëndron në krah të aleatëve SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar, në aksionet kundër objektivave ushtarake të lëvizjes Houthi në Jemen”.

Në një deklaratë pas aksionit të aleatëve, si kundërpërgjigje e sulmeve të rebelëve, Ministria e Mbrojtjes deklaron se qëndron në krah të aleatëve të saj.

“Ne mbështesim Rezolutën 2722 të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe qëndrimin e përbashkët për fundin e menjëhershëm të sulmeve të paligjshme të Houthi-ve, të cilat minojnë rendin ndërkombëtar, ekonominë globale dhe rrjedhën e lirë të tregtisë nga sulmet e paprecedentë, destabilizuese, të paligjshme dhe të pajustifikueshme të Houthi-ve kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq” shkruhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Mesazhi ynë mbetet i qartë: Ne do të jemi gjithmonë përkrah aleatëve tanë në këtë sfidë ndërkombëtare për të mbështetur dhe mbrojtur jetët dhe rrjedhën e lirë të tregtisë në një nga rrugët ujore më kritike në botë përballë vazhdimit të kërcënimeve”, theksohet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.

/ rtsh.al /