Dhomat e Specializuara në Hagë ua kanë zgjatur dy muaj të tjerë paraburgimin ish-shtetarëve të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të akuzuar për krime lufte kur luftonin me UÇK-në.
Në njoftimin e vendimit, Gjykata shtoi se ka dyshime të bazuara që të akuzuarit mund të pengojnë punën e drejtësisë apo edhe të arratisen po të lënë qelitë ku mbahen prej nëntorit 2020.
"Është vërtetuar se Thaçi, gjatë kohës së paraburgimit u ka dhënë vizitorëve informacione të marra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur dhe udhëzime për dëshmitarët e radhës. Një sjellje e tillë përforcon konstatimin e trupit gjykues se lirimi i të akuzuarit do të krijonte rrezik për pengimin e gjykimit. Veseli vazhdon po ashtu të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë prej pozitave të mëparshme dhe mund të ketë zbuluar informacione konfidenciale," argumentoi Gjykata.
Thaçi dhe Veseli janë nën akuzë së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Prokurorët e ngarkuar për zbardhjen e krimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - në mars 1998 deri në shtator 1999 - i fajësojnë ata për krime të kryera në qendrat ku mbaheshin ushtarë të zënë robër në luftë.
Në qeverinë e përkohshme në mars 1999, Thaçi ishte kryeministër, ministër për Inteligjencën ishte Veseli, Selimi ishte ministër i Brendshëm, ndërsa Krasniqi zëdhënës i UÇK-së.
Ish-presidenti Thaçi dhe të pandehurit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
/rtsh.al/