“Ditët në vijim pres hapjen e dialogut strategjik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka qenë kjo deklarata e bërë nga Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq.
"Sot pres një lajm të ri të madh në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse do të jetë e vërtetë se në ditët në vijim do të hapet një dialog strategjik midis Serbisë dhe SHBA-së, do të ishte sinjal fenomenal dhe shenjë se në të ardhmen, edhe me administratën e re të Trump, do të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme në bashkëpunim”, tha Gjuriq.
Kjo, siç theksoi ministri, do të sillte rregullsi në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, konsultime të rregullta dhe do të rriste volumin e shkëmbimeve në të gjitha fushat.
“Por le të presim që të bëhet zyrtare”, tha Gjuriq.
I pyetur nëse presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump do ta vizitojë Serbinë gjatë mandatit të tij presidencial, Gjuriq tha se Trump do të mirëpritet në Beograd si askund tjetër. Ai deklaroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrëdhënie të mira personale me Trump dhe kujtoi se Vuçiq ishte një nga liderët e parë botërorë që pati një bisedë telefonike me të pas fitores së Trump në zgjedhje.
/rtsh.al/