Gjenerali italian Enrico Barduani do të marrë detyrën e komandantit të KFOR-it më 11 tetor, në një ceremoni në Prishtinë.
Barduani do të zëvendësojë gjeneralin turk Özkan Ulutaş në krye të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO në Kosovë.
Komandantët e KFOR-it kanë mandat njëvjeçar dhe Enrico Barduani do të jetë komandanti i 29 -të i forcës së udhëhequr nga NATO në Kosovë.
Ai ka pasur një karrierë të gjatë brenda dhe jashtë Italisë.
Posti i tij i fundit ishte në kabinetin e ministrit italian të mbrojtjes Guido Crosetto, ku ai shërbeu si shef i politikës së mbrojtjes.
Sipas N1, Barduani shërbeu në vitin 2001 në Kosovë si Zëvendës Shef i Departamentit të Inteligjencës Italiane dhe në 2015-2016 si Shef Shtabi i komandantit të misionit. Gjithashtu, ai u vendos në Irak në vitin 2004, në vitin 2009 në Liban dhe në Afganistan në periudhën 2019-2020. Krahas kësaj, Barduani ishte Zëvendës Shef i Shtabit të Ministrit të Mbrojtjes të Italisë, i ngarkuar me çështjet politike ushtarake. Ai është italiani i 14-të që mban postin e komandantit të KFOR-it.
/rtsh.al/