Një 48-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda në automjetin e tij në Zall Mner të Tiranës.
Viktima dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë zjarri, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
“Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin paraprak të Policisë.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, dyshohet se shkak për vrasjen ka qenë një hasmëri mes viktimës Lulzim V., dhe personave të tjerë. Disa vite më parë, vëllai i viktimës ka vrarë një person që dyshohet të ketë lidhje me autorët e ngjarjes së sotme.
Ndërkaq, policia po merr në pyetje familjarët e viktimës për të sqaruar dyshimet.
/rtsh.al/