RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Gjendet italiani i dyshuar se kishte humbur jetën gjatë një aksidenti në Puke

18/09/2021

Gjendet italiani i dyshuar se kishte humbur jetën gjatë një aksidenti në Puke

Biznesmeni italian Davide Pecorelli, i cili u dyshua se ishte djegur në automjetin e tij, që u gjet i shkrumbuar në Pukë disa kohë më parë, është gjetur shëndoshë e mirë në një ishull të Italisë. Mediat italiane raportuan këtë të shtunë, se biznesmeni italian u gjet në ishullin Elba, në Toskana të Italisë, ku prej 9 muajsh qëndronte në një nga hotelet e ishullit. Po sipas mediave italiane, Pecoreli u zbulua rastësisht pasi teksa lundronte me një gomone në det të hapur, rrezikoi të mbytej. 
Automjeti që Davide Pecorelli kishte marrë me qira në Shqipëri u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti. Brenda tij ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Mbetjet kockore dyshohet se u morën në një varr në zonën ku u gjet mjeti i djegur.
Mediat e vendit fqinj shkruan, se Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Dyshohet se biznesmeni krijoi këtë skemë për  të fituar nga siguracionet e jetës.
Rezulton se biznesmeni italian u largua në mënyrë ilegale nga Shqipëria, nëpërmjet pikës kufitare të Hani i Hotit, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të shkuar më pas drejt Italisë. Në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës. Në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje, por tashmë Pecorelli do të hetohet për "Mashtrim".