RTSH 24 Live

Botë

Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

8 orë para

Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

Kutitë e zeza të gjetura një ditë më parë pritet të zbulojnë shkakun e aksidentit fatal mes një avioni dhe një helikopteri ushtarak në Uashington.

Përplasja që vrau 67 persona në bordet e të dyja mjeteve konsiderohet për SHBA-në më katastrofikja  në gati një çerek shekulli për bilancin që shkaktoi.

"Regjistruesit ndodhen në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB)," njoftuan autoritetet, ndërsa shefi i NTSB-së tha se nuk do të "lërë gurë pa lëvizur" në hetimet e veta.

Të paktën 28 trupa u gjetën të enjten në ujërat e ngrirë të lumit Potomak. Operacionet e zbulimit të viktimave të tjera u pushuan pas disa orësh për shkak të kushteve të rrezikshme për forcat e kërkim-shpëtimit. Garda Bregdetare amerikane pritet të ndërhyjë më lëvizjen e rrënojave të dy mjeteve që të rikuperohen edhe trupat e mbetur.

Avioni i linjës "American Airlines", me 60 pasagjerë dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit, po ulej në pistën e aeroportit kur helikopteri me tre ushtarakë hyri në vijën e tij të fluturimit. Aksidenti ndodhi më pak se 5 kilometra nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërsa e cilësoi një aksident të tmerrshëm, presidenti Donald Trump dje ngriti disa pikëpyetje për ngjarjen, duke thënë se përplasja mund të ishte parandaluar.

Mediet amerikane raportojnë se një nga arsyet për aksidentin mund të ketë qenë mungesa e stafit që mbikëqyr ulje-ngritjen e mjeteve në aeroport, pasi dyshohet që të mërkurën mbrëma në turn ishte vetëm një kontrollor nga dy që punojnë normalisht në raste të tilla. Por në një regjistrim zanor të publikuar një ditë më parë, kontrollori dëgjohet kur i thotë pilotëve të helikopterit që të shmangin rrugën e avionit me 60 pasagjerë.

/rtsh.al/