RTSH 24 Live

Botë

Geri Kasparov akuzon Putinin: Do ta përdorë masakrën në periferi të Moskës për qëllime politike

28/03/2024

Geri Kasparov akuzon Putinin: Do ta përdorë masakrën në periferi të Moskës për qëllime politike

Ish-kampioni i botës në shah dhe aktivisti politik Geri Kasparov thotë se Vladimir Putin ka përfituar nga sulmi terrorist në periferi të Moskës, ku u vranë rreth 140 persona. Në një intervistë për mediat kroate, Kasprov thotë ka shumë pyetje të hapura mbi ngjarjen tragjike.

Ende nuk e dimë pse përgjigjja e shërbimeve ruse të sigurisë ishte aq e ngadaltë. Stacioni i policisë është disa qindra metra larg nga vendngjarja. Përveç kësaj, amerikanët e paralajmëruan Rusinë për një sulm të mundshëm të Shtetit Islamik, por Moska i injoroi, madje Putini e mohoi publikisht mundësinë e sulmi të tillë”, tha Geri Kasparov, Ish-kampioni i botës në shah.

Kritiku i Putinit pretendon se Presidenti rus ka pasur dijeni për sulmin terrorist.

Nëse do të donin të dëmtonin Putinin, mund ta kishin bërë para zgjedhjeve. Por kjo ndodhi më pas. Unë besoj në rastësi, por besoj edhe në KGB. Ne e dimë se KGB-ja ka qenë gjithmonë e lidhur me grupet terroriste islamike”, u shpreh Kasparov.

Kasparov kujtoi se presidenti rus tashmë ka njoftuar se do ta përdorë këtë sulm tragjik për të intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit Peskov përdori fjalën “luftë” para disa ditësh. Kjo fjalë ishte e ndaluar në Rusi për dy vjet dhe tani papritur nuk është më një operacion special ushtarak”, u shpreh ai.

Lidhur me vendosjen e tij nga në listën ruse të terroristëve dhe ekstremistëve, Geri Kasparov u shpreh se kushdo që kundërshton diktatorët, duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.

Gazetare: V. Zhari

/RTSH/