RTSH 24 Live

Botë

SHBA të ndal Izraelin, presidenti palestinez pret që sulmi izraelit në Rafah të ndodhë së shpejti

28/04/2024

SHBA të ndal Izraelin, presidenti palestinez pret që sulmi izraelit në Rafah të ndodhë së shpejti

Përpjekjet diplomatike u shtuan të dielën për të arritur një armëpushim të shumëkërkuar dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza. Samiti i Forumit Ekonomik Botëror, që u hap në kryeqytetin e Arabisë Saudite, ku po merr pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken dhe zyrtarë të lartë nga vendet e tjera, ka qëllim ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Al Saud kryesoi një takim në Riad më herët me përfaqësues nga gjashtë vende arabe për të diskutuar luftën e Izraelit në Gaza. Ata përsëritën thirrjet për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake dhe kundërshtuan sulmin e  planifikuar të Izraelit në Rafah, e vetmja zonë e Rripit, ku strehohet më shumë se gjysma e popullsisë palestineze pas sulmit të 7 tetorit.

Duke folur në samitin e Riadit, presidenti palestinez, Mahmud Abbas , tha se vetëm SHBA mund të ndalojë sulmin e Izraelit në Rafah. Ai shtoi se priste një sulm ndaj qytetit në ditët në vijim . “I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t'i kërkojnë Izraelit të mos nisë sulmin në Rafah. Amerika është i vetmi vend që mund të ndalojë Izraelin që të kryejë këtë krim”, - tha ai, duke theksuar se vetëm një goditje e vogël në Rafah do ta detyronte popullsinë palestineze të largohej nga Rripi i Gazës.

" Atëherë do të ndodhte katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez”, theksoi Abas. Mbi 34 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 77 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha në një deklaratë ministria e shëndetësisë së Gazës , e cila njoftoi se rreth 66 persona u vranë dhe 138 të tjerë u  plagosur vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

/RTSH/