RTSH 24 Live

Botë

Katari i kërkon Izraelit dhe Hamasit të bëjnë më shumë për të arritur një marrëveshje armëpushimi

28/04/2024

Katari i kërkon Izraelit dhe Hamasit të bëjnë më shumë për të arritur një marrëveshje armëpushimi

Një zyrtar i lartë i Katarit i ka kërkuar Izraelit dhe Hamasit të tregojnë "më shumë përkushtim dhe më shumë seriozitet" në negociatat e armëpushimit në intervistat dhënë për mediat izraelite, ndërsa rritet presioni për të arritur një marrëveshje që do të lironte disa pengje izraelite dhe të sjellë një armëpushim në luftën gati shtatë-mujore në Gaza.

Katari, i cili ka selinë e Hamasit në Doha, ka qenë një ndërmjetës kyç dhe ka qenë i rëndësishëm, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, në ndihmën për të negociuar një ndalesë të shkurtër të luftimeve në nëntor që çuan në lirimin e dhjetëra pengjeve.

Por në shenjë zhgënjimi, Katari këtë muaj tha se po rivlerësonte rolin e tij ndërmjetësues.

Një delegacion izraelit pritet në Egjipt në ditët në vijim për të diskutuar propozimet e fundit në negociata, dhe zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim tha në një mesazh për Associated Press se një delegacion nga grupi militant do të shkojë gjithashtu në Kajro për bisedime. Ai nuk dha detaje, por televizioni shtetëror i Egjiptit Al-Qahera tha se delegacioni do të mbërrinte të hënën.

Intervistat me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Katarit Majed al-Ansari nga e përditshmja liberale Haaretz dhe transmetuesi publik izraelit Kan u publikuan dhe u transmetuan të shtunën në mbrëmje.

Ato erdhën pasi Izraeli premton të pushtojë qytetin më jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht shqetësimit global për më shumë se 1 milion palestinezë të strehuar atje.

Al-Ansari shprehu zhgënjimin ndaj Hamasit dhe Izraelit, duke thënë se secila palë ka marrë vendime bazuar në interesat politike dhe jo duke pasur parasysh të mirën e civilëve.

Ai nuk zbuloi detaje të gjendjes së bisedimeve, përveçse tha se ato "në mënyrë efektive janë ndalur", me "të dyja palët të ngulitura në pozicionet e tyre".

Marrëdhëniet midis Katarit dhe Izraelit kanë qenë të tensionuara gjatë gjithë luftës pasi disa politikanë në Izrael, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, e kanë kritikuar Katarin se nuk ka bërë presion të mjaftueshëm ndaj Hamasit.

Ligjvënësit izraelitë kanë hapur gjithashtu rrugën që vendi të dëbojë Al Jazeera, transmetuesin në pronësi të Katarit, i cili nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me Izraelin.

Deklaratat e Al-Ansari erdhën pasi një delegacion egjiptian diskutoi me zyrtarët izraelitë për një "vizion të ri" për një armëpushim të zgjatur në Gaza, sipas një zyrtari egjiptian, i cili foli në kushte anonimiteti.

Zyrtari egjiptian tha se zyrtarët izraelitë janë të hapur për të diskutuar vendosjen e një armëpushimi të përhershëm në Gaza, si pjesë e fazës së dytë të një marrëveshjeje.

“Ata treguan gatishmëri për ta bërë këtë, por jo përkushtim,” tha zyrtari. Izraeli ka refuzuar t'i japë fund luftës derisa të mposht Hamasin.

Faza e dytë do të fillojë pas lirimit të pengjeve civilë dhe të sëmurë dhe do të përfshijë negociatat për lirimin e ushtarëve, shtoi zyrtari. Të burgosurit e moshuar palestinezë do të lirohen dhe do të nisë një proces rindërtimi.

Negociatat në fillim të këtij muaji u përqëndruan në një propozim gjashtë-javor për armëpushim dhe lirimin e 40 pengjeve civilë dhe të sëmurëve të mbajtur nga Hamasi, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. AP

/rtsh.al/