RTSH 24 Live

Kosovë

Gazetari i RTSH raporton nga Kosova, atmosferë e qetë para heshtjes zgjedhore

08/02/2025

Gazetari i RTSH raporton nga Kosova, atmosferë e qetë para heshtjes zgjedhore

Qytetarët i Kosovës do i drejtohen kutive të votimit për pak orë.

Fushata elektorale, e cila u hap në janar me tona të ashpra mes palëve, vijoi deri mbrëmjen e së shtunës me një tubim të Lidhjes Demokratike të Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës.

Gazetari Nolian Lole tregoi për RTSH 24 se atmosfera në Kosovë është e qetë në prag të rënies së heshtjes zgjedhore ditën e diel.

Mbi 50 për qind e zgjedhësve të regjistruar për të votuar nga selitë diplomatike në diasporë e ushtruan të shtunën të drejtën e tyre.

"Parashikimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë që pothuajse 100 për qind e tyre do të marrin pjesë," tha z. Nole.

KQZ-ja është siguruar që nesër në orën 7:00 të mos ketë probleme. Baza materiale është shpërndarë, kamerat e vëzhgimit janë testuar dhe procesi është gati të përfundojë sipas parashikimeve në orën 19:00.

"Procesi i numërimit do të jetë një risi nesër, sepse në vendvotime do të numërohet vetëm gjysma e njërës fletë votimi, që ka të bëjë me partitë politike dhe rezultati do të mësohet rreth mesnatës. Të hënën e 10 shkurtit nis procesi i numërimit ose i listimit të kandidatëve sipas numrit të votave që ata kanë marrë. Kjo do të bëhet në qendrat komunale zgjedhore.

Për herë të parë në këtë fushatë është bërë edhe një fushatë e plotë zgjedhore katërjavore, pasi nuk ka pasur zgjedhje të parakohshme ose të jashtëzakonshme si në të kaluarën.

Lëvizja Vetëvendosje ka si synim që të arrijë shifrën mbi 500 mijë votues, sepse kjo do të thotë që të arrijnë 60+1 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që do i jepte mundësinë ta krijonte e vetme qeverinë. Por nga ana tjetër, në zgjedhjet për presidentin në vitin 2026, raundi i parë do të kërkojë dy të tretat e deputetëve ose kuorumin, përpara se të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Këto janë llogari që po i bëjnë partitë politike.

Në zgjedhjet e vitit 2021, LVV-ja, me aleatët e saj - Partia Alternativa dhe Lista Guxo - arriti një rezultat prej 438 mijë votash pro saj, duke kërkuar edhe votat e pakicës për të krijuar qeverinë. Deputetja më e votuar atëkohë ishte presidentja e sotme, znj. Vjosa Osmani, me plot 300 mijë vota, ndjekur nga kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca, me 200 mijë vota," tha z. Nole për RTSH 24.

/rtsh.al/