RTSH 24 Live

Aktualitet

Gati parkimi nëntokësor në Gjirokastër, Rama: I jap frymëmarrje qytetit historik

28/05/2023

Gati parkimi nëntokësor në Gjirokastër, Rama: I jap frymëmarrje qytetit historik

Punimet në sheshin e Çerçizit në Gjirokastër vijojnë, ku tashëm ka nisur faza e dytë e punimeve, ajo e veshjes me gurë dhe kalldrëm të sipërfaqes sipas karakteristikës së qytetit.

Sheshi do të kthehet në një hapësirë për këmbësorë dhe parkim nëntokësor, që është një ndërhyrje e domosdoshme për të gjithë planin e menaxhimit të qytetit në UNESCO.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Turizmit Mirela Kumbaro inspektuan nga afër punimet e sheshit, që do i dedikohet tërësisht këmbësorëve dhe turistëve.

Rama tha se kjo “do t’i japë një frymëmarrje të re të qytetit të Argjiros, ku rrugët gëlojnë nga turistët dhe ndikon në zhvillimin e jetës ekonomike".

“Poshtë janë harqet e parkingut të cilat do vishen me gurë, ndërsa kjo do jetë e gjitha pjesë e projektit të rikualifikimit për ta bërë të përdorshme qoftë për fëmijët, por dhe për publikun sepse vazhdojmë të jemi mangut me hapësira publike, lulishte. Ky pastaj do jetë gjithë sheshi publik që do jetë me motive, jo riprodhim fiks i kalldrëmit. Këtu fillojnë pllakat me dizajnin e ri. Ka tjetër motiv. Pra, risjell motivin e Gjirokastrës me gurë por nuk do jetë riprodhim i kalldrëmit.” tha Ministrja Kumbaro.

Gjithashtu poshtë sheshit të Çerçizit do të ndërtohet një hapësirë e blertë ku përfshihet edhe qendra kulturore për fëmijë si pjesë e projektit të rikualifikimit.

Gjatë inspektimit në qytet ka pasur edhe shumë turistë të huaj, të cilët përshëndetën kryeministrin ku nuk munguan as batutat.

“Unë nuk jam atraksion turistik”, u tha Rama turistëve duke i ftuar të vizitojnë qytetin.

Parkimi nëntokësor do t’i japë një cilësi të re zonës historike, duke e çliruar zemrën e qytetit nga makinat e parkuara në shesh.

/rtsh.al/