RTSH 24 Live

Aktualitet

Priten mbi 14 milionë turistë, Balla: Turisti është kthyer në objekt të rëndësisë së veçantë!

26/04/2024

Priten mbi 14 milionë turistë, Balla: Turisti është kthyer në objekt të rëndësisë së veçantë!

Ministri i Brendshme Taulant Balla tha  se Policia e Shtetit i ka gati masat për përballimin e fluksit në rritje të turistëve në Shqipëri. Këtë vit, sipas Ballës, priten mbi 14 milionë turistë. Vitin e kaluar u dëshmua se Shqipëria, përtej mikpritjes dhe bukurisë natyrore, ka dhe një siguri mbresëlënëse.

“Dua t’ju informoj se ne presim këtë vit një numër përtej 14 milionë turistë. Policia e Shtetit i ka gati të gjitha masat për përballimin e këtij fluksi në rritje. Do të kemi komunikim të hënën për masat e marra nga të gjitha departamentet e Policisë për ta përballuar sezonit turistik”, nënvizoi Balla pas takimit me krerët e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës.

“Ajo që Shqipëria po dëshmon vit pas viti, mund të përmblidhet në 3 dimensione kryesore:

Shqipëria ofron një turizëm falë një natyre të mrekullueshme me destinacione të bukura turistike;

Shqipëria është vend mikpritës, fal popullit shqiptar, që e konsideron mikun njësoj si Zoti. Në shtëpinë e Shqiptarit miku e Zoti janë në krye të tavolinës.

Së treti, siguria mbresëlënëse. 

Mjafton t’ju kujtoj se në 10 milionë turistët që erdhën në vitin 2023, s’kemi patur asnjë ngjarje kriminale ku të jenë përfshirë turistët. Turisti është kthyer në objekt të rëndësisë së veçantë. Duhet ta mbrojmë të gjithë. Ata përmirësojnë ekonominë tonë me ardhjen e tyre në Shqipëri”, tha ministri i brendshëm Taulant Balla.

/ rtsh.al /