Artisti, piktori dhe pedagogu i artit, Mjeshtri i Madh Gazmend Leka, hapi sot në Fier ekspozitën personale me një seri prej 130 vizatimesh në teknikën sepje, laps dhe tush. Në ceremoninë e hapjes, drejtorja e artit, Ardjana Mile, e quajti tërësinë e veprave një tjetër "ekspozitë suksesi".
"Artisti i dhjetëra ekspozitave personale dhe qindra në grup, fitues i mbi 20 çmimeve artistike, kombëtare e ndërkombëtare, si dhe vlerësuar nga Presidenti me titullin Mjeshtër i Madh, Gazmend Leka vjen në këtë ekspozitë personale me një seri vizatimesh, të ekspozuara për herë të parë për publikun shqiptar në galerinë tonë. Përshkruar nga shtresëzimet mitologjike të kulturës botërore ato zbërthejnë ato stacione ekzistenciale të njeriut aq sa dhe të krijuesit. Me shije metafizike, vepra e Gazmend Lekës, na fton në një dialog kulturor e estetik të rrallë, çka na bën krenar që zgjodhi pikërisht galerinë tonë për ta ekspozuar," u shpreh znj. Mile.
Punimet e ekspozuara në dy salla përbëjnë një seri subjektesh e temash, që zbërthejnë stacionet ekzistenciale as të njeriut, aq edhe të vetë krijuesit.
"Këtu janë vizatime që fillojnë nga 2021 deri në 2024, por më kryesoret në vitin e fundit. Unë kam mbaruar për pikturë dhe vizatim. Vizatimin e kam si një jehonë të largët të dashurisë që unë kam pasur. Janë motive që i kam trajtuar gjatë 45 viteve krijimtari. Kam kthyer kokën pas, kam marrë figurat, shenjat, simbolet dhe i kam rindërtuar në një mënyrë tjetër. Nuk janë kopje të atyre që kam trajtuar më parë," tha artisti Leka.
Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin piktorë të qytetit, nxënës të liceut Jakov Xoxa dhe artdashës. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri në 24 nëntor.
Gazetare: Laureta Roshi
/rtsh.al/