Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve.
Sipas SPAK-ut, Kreshnik Hajdari ka pasur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga “një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.”
Si në zgjedhjet vendore të vitit 2019, ashtu edhe të këtij viti të mbajtura në muajin maj, kryebashkiaku i Kuçovës ka deklaruar sërish se nuk ka qenë i dënuar nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale.
Por sipas hetimeve ka rezultuar se Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me masën riedukuese të qortimit, për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse.
Për këtë arsye, SPAK argumenton se kryebashkiaku i Kuçovës kishte detyrimin ligjor për të deklaruar tek formulari i vetëdeklarimit këtë rrethanë, në lidhje me dënimin e tij nga një gjykatë e huaj, kjo në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Dënimin e tij në Greqi, Hajdari nuk e ka deklaruar as në zgjedhjet vendore të 2019-s as në ato të këtij viti, duke konsumuar në këtë mënyrë, elementët e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
/rtsh.al/