RTSH 24 Live

Film

Fotografi Arian Mavriqi, gati dokumentarin për "ujkun gri": Do jetë hera e parë në Ballkan!

22/01/2024

Fotografi Arian Mavriqi, gati dokumentarin për "ujkun gri": Do jetë hera e parë në Ballkan!

Fotografi Arian Mavriqi, bukuritë dhe botën e egër të Kosovës tashmë po ia shpalos edhe botës.

Vite më parë atij do i dukej e pamundur t'i thuhej që shkrepjet e tij do të komentoheshin nga gjiganti botëror, Microsoft.

Që nga viti 2012 është aktiv në fotografi dhe frymëzimi i ka ardhur që fëmijë, kur hulumtonte natyrën, por atëkohë para luftës nuk e kishte mundësitë të dokumentonte ato që shihte.

Shqiponja peshkngrënëse dhe koliku i zi janë disa ndër speciet e rralla që kanë pozuar para kamerës së Mavriqit, pa qenë as në të dhënat shtetërore.

"Mund të jetë edhe hera e parë në Ballkan që do të bëjmë një studim shkencor dhe dokumentar për ujkun gri, të cilin e kemi në trojet tona. E kam pasur ëndërr që dikur të kem një dokumentar timin mbi pasuritë tona. Sot kam një dokumentar për kafshët e egra që është 15-minutësh dhe është thuajse i vetmi në tërë Ballkanin, sepse është shumë e vështirë.

Fotografia e jetës së egër është zhanri më i vështirë për t'u realizuar, sepse nuk ke të bësh me botën e njerëzve. Por e mira është që nuk kërkojnë 'më lër ta shoh foton a është mirë apo jo'. Fillimisht më është dashur të komunikoj me ornitologë e biologë, të cilët i studiojnë gjitarët, që të mos i shqetësuar në kolonitë e tyre," tha z. Mavriqi.

/rtsh.al/