RTSH 24 Live

Rajon

Forumi i Prespës, Reeker: Të ecë përpara procesi i integrimit europian! 

02/07/2021

Forumi i Prespës, Reeker: Të ecë përpara procesi i integrimit europian! 

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, i pranishëm në Forumin e Prespës ka shprehur zhgënjimin për mospërcaktimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vendimi i Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte frymëzues, po nëse nuk ndërmerr hapa konkrete tani BE do të humbasë besueshmërinë" tha Reeker. 

"Shpresojmë që BE të mbajë sa më shpejt konferencat e para ndërqeveritare me të dyja vendet.  Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vende" tha zyrtari i lartë amerikan.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së veriut Zoran Zaev, nuk ka kursyer kritikat ndaj BE, për moshapjen e negociatave, duke theksuar se vendet kanë plotësuar tanimë detyrat e shtëpisë.

“BE, nuk e përmbushi premtimin. Siç thotë edhe miku im Edi Rama, BE mund të vendosë data, por jo vendondodhjen apo faktin se ne jemi pjesë e familjes evropiane. Ballkani Perëndimor është Evropë”, tha Zaev.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç tha në forum se rajoni duhet të vazhdojë me integrimin evropian, por fokusi tjetër duhet të jetë bashkëpunimin rajonal. Sipas saj ky bashkëpunim mund të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Zonja Bërnabiç përmendi si shembull konkret heqjen e tarifave roaming, për qytetarët në vendet e ballkanit Perëndimor. 

“Është  një rezultat i prekshëm dhe në atë mënyrë qytetarët do të ndiejnë se kemi arritur diçka për ta. Kjo është vlera për të cilën unë përpiqem dhe pres projekte të tilla “, tha Brnabiç.

Për Kosovën, minishengeni është një iniciativë pa vizion për rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri i saj Albin Kurti. 

"Ajo që nuk duhet të bëjmë është që ti ikim përgjegjësive tona me veprime që krijojnë konfuzione dhe i japin mundësi palëve të tjera që ti shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Minishengenit, e cila është një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin dhe si të tilla Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë të kthehemi në axhenden e BE" tha Kurti.

"Pakënaqësia me BE nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo e mbështesin Federatën e Rusisë" tha kryeministri i Kosovës.