Veriu i Shqipërisë ngelet destinacion shumë i vizituar nga turistët e huaj. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook, foto nga fshati turistik i Dajçit në Shkodër ndërsa shkruan se ky qytet i ridalë tanimë nga agonia e gjatë dhe plot turistë ngado, është qershia mbi tortë.
Rama thekson se infrastruktura rrugore turistike apo rrjeti i ri i agroturizmave e bujtinave kanë sjellë një fluks të madh pushuesish drejt bukurive mahnitëse të Shqipërisë së Sipërme.
“Lajmin më të bukur të këtij sezoni të jashtëzakonshëm, me shifrat e të gjitha portave hyrëse të vendit që flasin për një rritje të lartë të numrit të vizitorëve e turistëve të huaj, e ka sjellë Veriu ynë, ku programi kombëtar i Rilindjes Urbane, infrastruktura rrugore turistike e ndërtuar në dekadën e fundit pikërisht me këtë vizion strategjik, rrjeti i ri i agroturizmave e bujtinave, kanë sjellë një fluks të madh pushuesish drejt bukurive mahnitëse të Shqipërisë së Sipërme.
E në këtë zhvillim të ri për Shqipërinë Turistike, Shkodra e të gjitha bukurive, e ridalë tanimë nga agonia e gjatë dhe plot turistë ngado, është qershia mbi tortë; e kjo foto si një copë parajse është bash nga Dajçi i Shkodrës", shkruan Rama.
/rtsh.al/