Fundjavë e ngarkuar në pikën kufitare të Kakavijës. 10,742 qytetarë janë regjistruar në hyrje-dalje në pikën kufitare të Kakavijës, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet e fundvitit, nga ku 2949 qytetarë janë regjistruar në hyrje dhe 7793 në dalje.
“Më datë 05.01.2025, shërbimet e SPK Kakavijë, kanë përpunuar 10742 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 2.949 në hyrje dhe 7.793 në dalje, si dhe 3.239 mjete në hyrje-dalje, nga të cilat 748 në hyrje dhe 2.491 në dalje”, thuhet në njoftim.
Por pas përfundimit të festave, pika kufitare e Kakavijës po përballet me fluks të madh, pasi emigrantët shqiptarë po kthehen në Greqi.
Gazetarja e RTSH, Enkeleda Domeri ka raportuar se pala shqiptare po punon me 5 sportele për të shmangur radhët e gjata të pritjes, ndërsa pala greke me 4 sportele, dy në hyrje dhe dy në dalje.
“Ditët e mëparshme të fillimit të janarit, situata në pikën kufitare të Kakavijës ka qenë e menaxhuar mirë. Nga pala shqiptare është punuar me 5 sportele, ndërsa nga pala greke me 4 sportele, dy në hyrje dhe dy në dalje.
Nuk ka pasur radhë të gjata pritje. nga intervistat e realizuara, qytetarët shprehen se kanë mbi 40 minuta që kanë në pritje. Disa kërkuan që situata të menaxhohet më shpejt nga institucionet përkatëse.
Radha e automjeteve po vijon të shtohet.
Fundjava pritej të kishte fluks të shtuar. Bashkatdhetarët tanë nuk shfrytëzuan fillimin e janarit për të ikur drejt Greqisë, por shfrytëzuan fundjavën. Pritet që situata të menaxhohet”, deklaroi Domeri.
/rtsh.al/