RTSH 24 Live

Aktualitet

Fluks hyrjesh në Pikat e Kalimit Kufitar, shtohen kapacitetet nga autoritetet

24/12/2023

Fluks hyrjesh në Pikat e Kalimit Kufitar, shtohen kapacitetet nga autoritetet

Rreth 8 mijë udhëtarë mbërritën në portin e Durrësit duke shënuar dhe ditën me fluks më të lartë lëvizjesh në këtë Pikë Kufitare. Ata mbërritën me 4 tragete përmes linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës.

Nga ana e Autoritetit Portual u morën masat për të përballuar fluksin në rritje, duke krijuar lehtësira brenda territorit të portit në qarkullim. Nga ana e policisë së Kufirit dhe Migracionit është dyfishuar numri i pikave të kontrollit të dokumentacioneve duke shmangur radhët e gjata. 

Përgjatë tri ditëve të fundit, nëpërmjet portit të Durrësit kanë hyre mbi 20 mije shtetas shqiptarë, mes tyre dhe të huaj, që vijnë në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.

Në portin e Vlorës 1400 pasagjerë mbërritën me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi. Pjesa më e madhe e tyre erdhën nga Italia dhe vende të Bashkimit Evropian për të kaluar festat në atdhe pranë familjeve, por nuk munguan as turistët, të cilët zgjedhin që krishtlindjen apo vitin e ri ta kalojnë në Shqipëri.

Fluksi pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme ndërsa Porti po punon me kapacitete të plota për të përballuar fluksin. Në Kakavijë në 24 orët e fundit kanë hyrë drejt Shqipërisë 6696 persona dhe kanë dalë 2616 të tjerë.

Sipas të dhënave, kanë hyrë në territorin tonë 1812 automjete dhe kanë dalë mbi 600 të tjera. Sa i përket shtetasve të huaj, statistikat flasin se kanë hyrë në Shqipëri 2342 persona dhe kanë dalë 600 të tjerë.

Rreth 800 mjete janë regjistruar në hyrje dhe 300 në dalje të kësaj pike kufitare, e cila ka punuar me 6 sportele, tri në hyrje dhe tri në dalje për përpunimin e dokumentacionit. Ndërsa në Muriqan autoritetet konfirmuan, se për 48 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri  17.575 persona dhe  kanë dalë 9554 të tjerë.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/