RTSH 24 Live

Televizion

Fiskalizimi/ Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj: Bizneset në zona pa internet përjashtohen nga procesi 

05/01/2021

Fiskalizimi/ Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj: Bizneset në zona pa internet përjashtohen nga procesi 

Të gjitha bizneset që nuk kane akses në internet, për shkak të mungesës së valëve, do të jenë të përjashtuara nga procesi i faturimit elektronik, fiskalizimi. Në një intervistë me gazetarin, Lutfi Dervishi, në emisionin 'Përballë', Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj sqaroi se si duhet të veprojnë këto subjekte.  

“Ligji dhe aktet nënligjore kanë parashikuar të gjitha alternativat. Në zonat që nuk ka mbulim me internet, mjafton që tatimpaguesi të pajiset me një vërtetim nga AKEP që operon në zonë, e cila nuk ka mbulueshmëri internet dhe ato nuk do të kenë detyrimin e fiskalizimit, por do të vazhdojnë të operojënë siç kanë operuar deri më sot, dhe do të dërgojnë të dhëna pranë administrates tatimore.”- tha Ibrahimaj. 

Po çfarë parashikon ligji i fiskalizimit për bizneset që do të kenë problem me internetin, shkëptujen e tij?  

“Ndërkohë që për subjekte të cilat për shkaqe të ndryshme do të kenë një shkëputje interneti, ligji ka parashikuar një procedurë standard të dërgimit të të dhënave. Nëse interneti do të mungojë për një afat të caktuar, atëherë tatimpaguesi do të vijojë të lëshojë fatura, dhe në momentin e rilidhjes së internetit ato fatura do të fiskalizohen. Ndërkohë që, nëse ky proces zgjat më shume se 48 orë, do të duhet që tatimpaguesi të vërtetojë që faji i moslidhjes me internet është i ofruesit të shërbimit. “ – theksoi Ibrahimaj në 'Përballë'.