RTSH 24 Live

Aktualitet

Fier/ Theu arrestin e shtëpisë për të shitur sërish kokainë, arrestohet 27-vjeçari

26/05/2023

Fier/ Theu arrestin e shtëpisë për të shitur sërish kokainë, arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë këtë të premte (26 maj) në Fier, i akuzuar për shitje droge. Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se i riu me inicialet A. M., banues në Fier, ishte nën masën e sigurisë “ arrest shtëpie”, por e theu këtë masë për të shitur sërish kokainë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", e arrestuan 27-vjeçarin në biznesin e tij, ku shiste lëndën narkotike.

Gjatë kontrolleve në biznesin privat si dhe në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi kokaine e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Gjykata i kishte caktuar 27-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi më datë 19.01.2022 u kap nga Policia e Fierit teksa ushtronte në të njëjtin biznes privat, veprimtarinë kriminale të shitjes në doza, të kokainës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Përshtatja e lokalit për përdorim droge" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".

/rtsh.al/