Festat e fundvitit po sjellin në Shqipëri një numër të lartë emigrantesh që jetojnë e punojnë në shtetin Grek. Gjatë 24 orëve të fundit lëvizja në të dyja anët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ka shkuar në 9500 shtetas. Për të shmangur radhët e pritjes pala shqiptare po punon me 7 sportele, ndërsa ajo greke 4
Në doganën e Kakavijës vijon lëvizja për festat e fundvitit në të dyja anët e kufirit. Pjesa më e madhe e personave që lëvizin në kufi janë bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët kthehen për të kaluar festat tek të afërmit në vendlindje.
Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit në këtë pikë kufitare janë përpunuar 9499 shtetas në hyrje - dalje, nga të cilët 6666 në hyrje dhe 2833 në dalje, si dhe 2873 mjete në hyrje - dalje, nga të cilat 1922 në hyrje dhe 951 në dalje.
Gazetare: Enkeleda Domeri
Shtohen lëvizjet në Muriqan
24 orët e fundit është rritur fluksi i shtetasve që kalojnë përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Muriqanit. Pjesa më e madhe e shtetasve që hyjnë në territorin shqiptar janë emigrantë të cilët kthehen në vendlindje për të kaluar festat.
Sipas të dhënave të Autoriteteve Doganore gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kalimi janë përpunuar 8108 shtetas nga këto 6284 në hyrje të Republikës së Shqipërisë si dhe 1824 në dalje.
Kanë hyrë 2737 automjete dhe kanë dalë 2031 automjete. Në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit aktualisht po punohet me 5 sportele, 2 në hyrje dhe 3 në dalje.
Gazetar: Mirsad Rakaj
Fluks në Morin, festat rikthejnë emigrantët në vendet e tyre
Në prag të festave të fundvitit janë shtuar lëvizjet në Pikë Kufitare të Morinit. Emigrantët që kthehen nga shtetet e huaja për të festuar pranë familjarëve te tyre janë në numër të lartë. Në ditët në vijim pritet të ketë fluks të madh të lëvizjeve në këtë pikë kufitare.
Gazetar: Dashmir Shehu
Në Kapshticë punohet me kapacitete maksimale për të mos krijuar radhë
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë doganore kanë hyrë 5655 shtetas, rreth 1 mijë shtetas më tepër nga fundjava dhe në dalje janë regjistruar 2527, rreth 500 shtetas më tepër nga sa kanë qenë në fundjavë.
Autoritetet doganore bëjnë me dije se janë marrë masat në një situatë të tillë, kur pritet që të ketë shtim të lëvizjeve dhe punohet me kapacitet maksimal.
Aktualisht është duke u punuar me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje ndërsa alternohen edhe sipas lëvizjeve. Situata do të jetë në monitorim duke qenë se në orët e pasditet, pritet që të shtohet fluksi i lëvizjeve. Ndërsa sa i takon pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, në hyrje janë regjistruar 2607 shtetas shqiptarë e të huaj dhe në dalje 2519 shtetas. Në këtë pikë nuk ka pasur fluks lëvizjesh por ka qenë një situatë normale.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/