RTSH 24 Live

Aktualitet

Festa e Flamurit dhe 79-vjetori i Çlirimit, Balla pritet nga komuniteti shqiptar në Londër

29/11/2023

Festa e Flamurit dhe 79-vjetori i Çlirimit, Balla pritet nga komuniteti shqiptar në Londër

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë qëndrimit në Londër është pritur nga një komunitet shqiptarësh, përfaqësues të spikatur në fusha të ndryshme me rastin e festave të nëntorit, atë të Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.

“Historia jonë na bën krenarë. Ajo është historia e një kombi të cilit i është dashur të luftojë gjithmonë për lirinë, pavarësinë integritetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.

Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Pyesni hebrenjtë si i pritën e si i mbrojtën shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke rrezikuar edhe jetën e tyre përballë pushtuesve nazi-fashistë", tha Balla.

Balla nënvizoi se Shqipëria sot është krenare për miqësinë dhe aleancën strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, vendet e Bashkimit Europian dhe të gjitha vendet mike.

Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë një arritje historike, falë përkushtimit ndër vite të të gjitha qeverive shqiptare në këto tre dekada”, ka theksuar Balla.

Më tej, Balla shtoi se diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre.

“Dua t’ju kujtoj regjistrimin e adresës suaj, në mënyrë që ne t’ju ofrojmë më shumë shërbime online nga Shqipëria këtu”, apeloi Balla.

Shqipëria e Britania e Madhe kanë një histori që këtë vit shënoi 101 vite miqësie, tha Balla, duke theksuar kontributin e palës britanike gjatë luftës.

Oficerët britanikë të ndërlidhjes janë pranë  këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake në zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun'', do të shprehej Kryeministri britanik Winston Churchill në vitin 1943", u shpreh Balla.

/rtsh.al/