RTSH 24 Live

Televizion

Ekskluzive! “Donte lirinë, por ia mohuan”, nëna e Faton Hajrizit: 15 vjeç mbahej lidhur me zinxhir

22/07/2024

Ekskluzive! “Donte lirinë, por ia mohuan”, nëna e Faton Hajrizit: 15 vjeç mbahej lidhur me zinxhir

"Jetë Shqiptare" ka udhëtuar drejt qytetit të Skënderajt në Kosovë për të biseduar me nënën e Faton Hajrizit.

Ai u vra të premten (19 korrik) nga policia serbe pas rreth 40 orësh në kërkim si i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe për plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë.

Shahrie Hajrizi, nëna e Fatonit, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 tregoi se vuajtjet e të birit filluan që në moshë të re.

Fatoni ra në burg në moshën 15-vjeçare, në shkurt të vitit 2000, kur fatkeqësisht vrau një ushtar rus. E kemi dorëzuar për mos të rënë në kurth. Ka qëndruar në burgun famëkeq të Veriut të Mitrovicës”.

 Në atë burg, tregoi znj. Hajrizi, Fatoni i burgosur trajtohej keq.

U arratis 9 herë nga burgjet e Kosovës duke kërkuar me çdo kusht lirinë. Im bir ishte një djalë shumë I shkathet, inteligjent dhe kishte aftësi të dhëna nga Zoti. Ka qenë djalë besnik, i dashur shumë, por fatkeqësisht na la.

Në moshën 15-vjeçare kur e sollën në gjykatë për veprën penale ai ishte i lidhur me zinxhir, edhe pse ishte një fëmijë. Ishte lidhur në qafë, në bel dhe në të dyja këmbët.

Fatoni qëndronte në Veri të Mitrovicës, edhe pse nëna e tij kishte kërkuar të kalonte në një burg për minorenët. 

Djali duhet të kishte vuajtur dënimin në burgun e Lipianit për moshatarët e tij, ku mund të kishte vazhduar shkollimin dhe të trajtohej si i mitur.

Fatoni e ka dashur lirinë por nuk e lanë.

Në 9 arratisjet që ka bërë Fatoni më vinte dhe më takonte, por nuk qëndronte në shtëpi. Arratisja nuk ishte shpëtim, se veç rëndohej. Fatoni kishte kryer 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur dhe 6 vjet. Ai kërkonte lirinë, po nuk ia mundësuan. Ka aplikuar për lirinë me kusht. Ia kanë refuzuar. Kemi aplikuar si prind dhe ai vetë për faljen e presidentes. Asnjëherë s'iu dha mundësia. Nuk donin. Donin ta shihnin si është sot."

Duke treguar rrugëtimin e fundit, znj. Shahrie thotë se nuk ishte dijeni për destinacionin e të birit.

Shtetit ia dorëzova 15-vjeçar, shteti e mbajti 23 vjet. Me djalin e kam pasur kontaktin më 1 korrik deri në 3 korrik, që erdhi në fundjavë. Ka qenë shumë i rregullt, nuk na la përshtypje që do të largohej nga burgu në datën 6. Ai e ka dashur lirinë, por lirinë nuk ia dhanë kurrë, lirinë ia mohuan.

/rtsh.al/