RTSH 24 Live

Europë

Ekskluzive! A do shpërthejë Lufta III Botërore? Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit flet për "Ekspres"

16/04/2024

Ekskluzive! A do shpërthejë Lufta III Botërore? Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit flet për "Ekspres"

Sulmi masiv i Iranit me qindra raketa balistike dhe dronë ndaj Izraelit shkaktoi frikë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën.

Edhe pse “era e luftës” duket se është qetësuar, përsëri tensionet mes dy vendeve mbeten te larta.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin "Ekspres" të gazetarit Nolian Lole, zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, Arje Sharuz Shalikar (o. Arye Sharuz Shalicar), tregon detaje nga situata në shtetin hebre dhe kundërpërgjigjen e Tel-Avivit.

Intervista e plotë me z. Arje Sharuz Shalikar

SH: Faleminderit! Shalom nga Izraeli.

L: Shalom nga Tirana dhe pyetja ime e parë është a ishte një sulm i vërtetë luftarak i Iranit apo thjesht një lloj testimi provë?

SH: Shikoni, nga njëra anë duhet theksuar se ishte një sulm i vërtetë nga territori iranian ndaj Izraelit, i pari i këtij lloji nga territori iranian në mënyrë direkte por mos harroni se Irani e sulmon përditë Izraelin nëpërmjet mashave të tij në rajon që janë si Hezbollahët në Liban, ashtu edhe rebelët Huthi në Jemen apo edhe nëpërmjet Xhihadit Islamik dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Në këtë kuptim Irani nuk është një kundërshtar i ri në luftë, por ai është kundërshtari i vërtetë i luftës, sepse prej muajsh dirigjon goditjet e milicive terroriste rreth Izraelit ndaj nesh. Sulmi nga Irani, që t’i përgjigjem pyetjes suaj, me 300 objekte fluturuese, me mbi 100 raketa balistike, që u nisën nga territori iranian për të goditur Izraelin, është një sulm masiv, të cilin zor se e kemi parë diku tjetër në botë. Kjo situatë tashmë ndryshon lojën në rajon dhe duhet parë me kujdes se si do të vijojë.

L: Sipas jush me këtë sulm Irani tregoi forcë apo dobësi?

SH: Varet nga cili këndvështrim e vlerësojnë vëzhguesit dhe analistët e jashtëm. Nga njëra anë u kapën në befasi, sepse nuk e prisnin që ne që Izraeli të arrinte që me anë të një aleance të madhe të asgjësonte 99% të objekteve fluturuese, dronëve, raketave marsh apo ato balistike. Çdo gjë me të cilën goditën Izraelin ne e asgjësuam në shkallën 99% në ajër. Ne besojmë se kjo i kapi ata në befasi, nuk e prisnin që të kishim një shkallë të tillë suksesi. Nga ana tjetër të lëshosh apo të godasësh nga territori iranian me mbi mbi 300 objekte fluturuese dhe njëkohësisht të dirigjosh dhe milicitë terroriste si Huthët dhe Hezbollahët, që edhe ata të gjuajnë njëkohësisht Izraelin, do të thotë që është një operacion i madh, që nuk e kryen një vend normal, mesatar, i papërgatitur, sepse jo kushdo gjuan me 300 objekte një vend tjetër brenda një kohe kaq të shkurtër dhe me frekuencë të tillë. Pra duhet marrë seriozisht.

L: Po, por Izraeli nuk ishte vetëm, madje edhe shumë vende arabe ishin krah tij. Çfarë do të thotë kjo?

SH: Kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë që në këtë rajon jo vetëm Izraeli terrorizohet nga shteti i Mullahëve iranianë, por edhe shumë vende të tjera arabe, pragmatiste në llojin e tyre, por që ndihen të infiltruara nga ana e Gardës Revolucionare të Iranit, që ndihen të terrorizuar nga ana e shtetit shiit islamik. Të gjitha këto shtete së bashku me ne dhe aleatët tanë amerikanë dhe perëndimorë krijojmë një aleancë të përbashkët, një mbrojtje ajrore të përbashkët, e cila në këtë kuptim u vërtetua gjatë sulmit të së dielës dhe ishte e suksesshme.

L: A do të ndikojnë këto sulme të Iranit te lufta juaj në Rripin e Gazës kundër Hamasit?

SH: Në asnjë mënyrë, sepse duke parë luftën në Rripin e Gazës, ne ndjekim atje dy qëllime kryesore prej 6 muajsh e gjysmë. I pari qëllim është lirimi i 133 pengjeve të 7 tetorit, të gjallë ose të vdekur t’i sjellim në Izrael. Kjo është njëra anë dhe ana tjetër është të gjunjëzojmë atë që quhet organizata terroriste e Hamasit apo qeveria apo ushtria e Hamasit, e quani si të doni. Ne do ta shkatërrojmë, do ta eliminojmë atë me qëllim që të mos përsëritet një tjetër 7 Tetor, kurrë më në të ardhmen!

L: Pyetja 1-miliondollarëshe është a do të godasë Izraeli mbrapsht Iranin?

SH: Natyrisht që nuk mund të bisedoj me ju këtu masa operative apo taktike të së ardhmes, por ajo që mund t’ju them është se ne jetojmë dhe ekzistojmë në Lindjen e Mesme dhe këtu në Lindjen e Mesme je përballë të tilla regjimeve terroriste apo milicive terroriste në mënyrë të vazhdueshme dhe ato kuptojnë vetëm forcë, gjuhën e forcës, ato kuptojnë vetëm fuqi. Dhe kur nuk reziston me forcë ushtarake ndaj të tilla regjimeve kjo perceptohet nga pala kundërshtare si dobësi. Kur renditesh apo cilësohesh i dobët në rajonin e Lindjes së Mesme, kjo përsëritet herë pas here. U përsërit dhe më 7 tetor, merresh përpara, të hanë, të gëlltisin dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse për Izraelin, për hebrenjtë, për popullin tonë bëhet fjalë për mbijetesë. Ju them sinqerisht është në lojë ekzistenca jonë, e popullit e shtetit. Kjo vërtetohet lehtësisht, pasi kundërshtari ynë, regjimi i mullahëve iranianë, nuk e fsheh qëllimin e tij, që është që të zhdukë çifutët dhe Izraelin. Këtë ata e thonë me plot gojën.

L: Një pyetje e fundit, a do të ketë një Luftë të Tretë Botërore?

SH: Nuk di të parashikoj të ardhmen, nuk di të them as si do të jetë një Luftë e Tretë Botërore, por ne e shohim që ka disa pika të nxehta rreth e rrotull globit, shumë madje, kriza të cilat u shndërruan në konflikte dhe luftëra. Një prej tyre, sulmi rus mbi Ukrainë, edhe ai zhvillohet në Europë, jo larg nga Tirana, por edhe konflikti i dytë pranë Europës dhe që e shqetëson edhe atë, është ai që Izraeli përballet me një numër të madh milicish dhe shtetesh terroriste rreth e qark të cilat na sulmojnë në drejtime dhe momente të ndryshme. Megjithatë këto nuk janë të vetmet konflikte në botë, sepse kudo zien, në Afrikë, në pjesë të Azisë, në Europë dhe kjo duhet të na bëjë që të vëzhgojmë dhe të jemi të vëmendshëm ndaj veprimtarive të shteteve terroriste, por edhe atyre që i nxisin duke qëndruar dhe stimuluar pas tyre, gjithmonë nëse duam të jemi në gjendje që të mbrohemi kundër tyre.

L: Unë ju falënderoj zoti Shalikar.

N: Faleminderit.

A: Faleminderit juve, gjithë të mirat në Tiranë.

N: Gjithë të mirat në Tel-Aviv, Jerusalem dhe kudo në Izrael. Faleminderit!

/rtsh.al/