RTSH 24 Live

Aktualitet

Edukimi për Sigurinë Rrugore pjesë e kurrikulave mësimore të arsimit parauniversitar

08/05/2023

Edukimi për Sigurinë Rrugore pjesë e kurrikulave mësimore të arsimit parauniversitar

Edukimi për Sigurinë Rrugore do të jetë pjesë e kurrikulave mësimore të arsimit parauniversitar.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit nënshkruan marrëveshjen e përbashkët për hartimin dhe zbatimin e unifikuar të kurrikulës së re të Edukimit për Sigurinë Rrugore në arsimin parauniversitar.

Parashikohet që në kurrikula mësimore të ketë kapituj të dedikuar mbi sigurinë rrugore e tekste të reja plotësisht në përputhje me praktikat evropiane në të gjitha shkollat, deri në 18 vjeç.

Krahas kurrikulave mësimore për nxënësit, do të sigurohen edhe materiale formuese e burimore në ndihmë të trajnimit të mësuesve të sistemit arsimor.

Ky bashkëpunim bazohet në ndryshimet e Kodit Rrugor, propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, mbi unifikimin dhe homologimin e manualeve formuese, rolin e DPSHTRR, si edhe interesin strategjik për rritje sigurie rrugore dhe publike, me objektiv kulturën mbi trafikun dhe lëvizshmërinë e sigurt” thuhet në njoftimin për shtyp.

Marrëveshja e re do të sjellë risi në metodologji e didaktikë, orë digjitale mësimore dhe simulatorë, aplikacione online e aktivitete të konceptuara sipas grupmoshave.

Synimi është përgatitja e individit si një përdorues rruge, mjeti, pasagjer, këmbësor, pedalues e drejtues mjeti, që në vegjëli sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, për një realitet ku sot motorizimi i shoqërisë është dyfishuar nga viti 2013, duke shkuar në rreth 300 mjete për 1,000 banorë, ose +86%, me projeksion aktual trendi rritjeje prej rreth 50 mijë mjete rrugore në vit.

/rtsh.al/