Dy shtëpitë-muze të dy kolosëve të letrave shqipe, ajo e shkrimtarit Ismail Kadare dhe Dritëro Agollit, bashkëkohës të cilët për një kohë të gjatë jetuan në të njëjtin pallat tek “Rruga e Dibrës” në kryeqytet, tashmë do të funksionojë si një guidë e vetme për të gjithë vizitorët.
Drejtoresha Anisa Ymeri tregon se muzeu do t’i propozohet vizitorit si një itinerar i vetëm.
“Ky do të jetë një muze i përbashkët. Sigurisht që secili nga këto dy figura të rëndësishme të historisë së mendimit, jo vetëm të letërsisë shqipe, ekziston më vetë. Por duke qenë se ata kanë jetuar në të njëjtin pallat, ajo që do t’i propozohet vizitorit është një itinerar i vetëm", tha Ymeri.
Objektet, sendet personale, librat, copëza kujtimesh e një pjesëz jete gjenden brenda shtëpive-muze të aksesueshme për çdo vizitor.
“Kjo është një histori komunizmi me jetën e banorëve jo të zakonshëm të saj brenda dhe këtu ka vërtet shumë për të treguar. Sidomos kur brenda këtyre ambienteve gjenden objektet, sendet personale, bibliotekë e shkrimtarëve dhe kjo e bën më interesante. Edhe për të rinjtë apo studentë e bën një pikë referimi për të mësuar më shumë jo vetëm si pjesë e mësimeve shkollore, por edhe për kuriozitet", thekson Ymeri.
Drejtoresha e muzeut rrëfen se synimi është që dy shtëpitë-muze të funksionojnë si një hapësirë mendimi, me takime dhe biseda rreth jetës dhe veprimtarisë së dy shkrimtarëve.
“Synimi im kryesor është që ky muze që është një, por janë edhe dy, të jetë një hapësirë mendimi, ndaj do të synohet shumë, leksione të hapura, ekspozita të përkohshme për të prekur aspekte të jetës profesionale dhe personale të shkrimtarëve", tha Ymeri.
Që pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Kadare në shtëpinë e tij ka pasur një interes të lartë vizitorësh, turistësh, por edhe lexuesish besnikë, ndërsa ky do të jetë panairi i parë që shoqërohet me mungesën fizike të shkrimtarit Ismail Kadare.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/