RTSH 24 Live

Aktualitet

Dumani: Kini besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, epoka e paprekshmërisë po lëkundet

5 orë para

Dumani: Kini besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, epoka e paprekshmërisë po lëkundet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, i pranishëm në tryezën e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë, ka deklaruar se institucioni që ai drejton ka treguar se është në gjendje që të kryejë hetime të guximshme ndaj zyrtarëve të lartë.

Kemi goditur organizata kriminale, të cilat janë të përfshirë në vepra penale shumë të rënda. Konstatohet një progres i arritur nga SPAK dhe, në respektim të ligjit dhe kushtetutës, për të kryer në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë. Kjo dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet.

Në këtë kuadër, kreu i SPAK, theksoi se “Hetimet tona kanë goditur grupet kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës, pastrimin e parave, trafikun e qenieve njerëzore, organizata kriminale të cilat kanë për objektiv kryerjen e veprave shumë të rënda penale kundër jetës sidomos ndaj kundërshtarëve të tyre. Gjithashtu rritja e kapaciteteve të SPAK ka vendosur themele të shëndosha për hetimet dhe çështje të komplikuara të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë.

Ndaj shtoi ai, “besimi i partnerëve ndaj SPAK është rritur dhe kjo është reflektuar në rritjen e bashkëpunimit dhe kryerjen e hetimeve të përbashkëta me to, kryesisht me shtetet e BE-së, me Britaninë e Madhe, SHBA, me Zvicrën, shtetet e Amerikës Latine si dhe vendet e tjera panterë në rajon.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani shtoi ndër të tjera se, marrëdhënie me Interpol, Europol dhe Eurojust janë forcuar dhe intensifikuar, si dhe falë koordinimit dhe ndihmës së tyre është bërë e mundur bashkëpunimi në kohë reale dhe pasja e hetimeve të suksesshme.

Goditja e fuqisë ekonomike të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë progres.

Vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në total për vitin 2024 ka arritur në 59 milion euro. Këtu përfshihen dhe kriptovaluta të cilat po e gjejnë edhe më shumë përdorim nga organizatat kriminale duke përdorur masivisht si për veprime financiare për të blerë sasira të konsiderueshme kokaine si dhe për pastrimin e parave. Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave. Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve. E gjej këtë material shumë të dobishëm për institucionin tonë. Statistikat janë problematikë e trashëguar ndër vite, por nga muaji janar po aplikohet sistemi i menaxhimit të çështjeve, me statistika të plota, të qarta, që na ndihmojnë neve dhe të tjerët. Themi se e kemi hedhur një hap përpara, që të kemi statistika të qarta.

/rtsh.al/