RTSH 24 Live

Botë

Drejtori i FBI-së: SHBA rrezikohet nga një sulm terrorist si ai në Moskë

24/04/2024

Drejtori i FBI-së: SHBA rrezikohet nga një sulm terrorist si ai në Moskë

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka paralajmëruar SHBA-në se mund të përballet me një "sulm të koordinuar terrorist" i ngjashëm me masakrën e koncertit në Moskë.

Sipas Wray, FBI është “gjithnjë e më shumë e shqetësuar për një sulm të koordinuar terrorist” në SHBA teksa konflikti Izrael-Hamas vijon.

Wray shprehet se kërcënimi i terrorizmit ndaj SHBA-së ka qenë i pranishëm edhe përpara sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Megjithatë, sipas drejtorit të FBI-së kërcënimi është në një "nivel krejt tjetër".

Ai paralajmëroi se një sulm ndaj Amerikës mund të “mos jetë aq i ndryshëm nga ai që patë kundër sallës së koncerteve në Rusi disa javë më parë nga ISIS-K”.

Wray tha se “aktorët ose grupet e vogla të radikalizuara në SHBA mund të konsiderojnë kryerjen e një sulmi në një vend publik. Ndërsa shikoj mbrapa karrierën time në zbatimin e ligjit, e kam të vështirë të gjej një kohë kur kam parë kaq shumë kërcënime të ndryshme të ngritura në të njëjtën kohë, qofshin këto kërcënime nga Kina, Rusia, Irani. Kërcënimet terroriste si kërcënimet e terrorizmit të huaj dhe të brendshëm”, tha ai për NBC News.

Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për potencialin e një lloj sulmi të koordinuar këtu në atdhe, i cili mund të mos jetë aq i ndryshëm nga ai që patë kundër sallës së koncerteve në Rusi disa javë më parë nga ISIS-K” shtoi Wray.

Më parë, Wray paralajmëroi Kongresin se SHBA është e kërcënuar pas ngjarjeve jashtë shtetit.

“Shqetësimi ynë më i menjëhershëm ka qenë se individët ose grupet e vogla do të marrin frymëzim të shtrembëruar nga ngjarjet në Lindjen e Mesme për të kryer sulme këtu në shtëpi” i tha Wray Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Wray tha gjithashtu në të kaluarën se terroristët po përdorin "taktika të ngjashme me mafien" për të planifikuar "sulme të koordinuara" në SHBA.

Terroristët e huaj, duke përfshirë ISIS-in, al-Kaedën dhe pasuesit e tyre, kanë ripërtërirë thirrjet për sulme kundër komuniteteve hebreje këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë Perëndimin në deklarata dhe propagandë”, tha ai.

/rtsh.al/