RTSH 24 Live

Ekonomi

Draghi: Ekonomia e Evropës përpara një krize "ekzistenciale"

10/09/2024

Draghi: Ekonomia e Evropës përpara një krize "ekzistenciale"

A do të jenë sipërmarrjet në Evropë në varësi prej konkurrencës nga Amerika e Veriut dhe Azia? Ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Mario Draghi në analizën e tij nxjerr një konkluzion të qartë.

"Evropa e ka humbur revolucionin digjital të shkaktuar nga interneti, si dhe fitimet në produktivitet që lidhen me të", konstaton në raportin e tij ish-kreu i BQE-së, Mario Draghi.

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e pati autorizuar 77 vjeçarin Draghi që të bëjë një analizë të aftësisë konkurruese të BE-së. Në të Draghi tërheq vëmendjen, se Bashkimi Evropian është i dobët në teknologjitë e reja, që do të nxisin rritjen e ardhshme ekonomike. Vetëm katër nga 50 sipërmarrjet e mëdha të teknologjisë janë firma evropiane.

Në sfondin e konkurrencës nga SHBA dhe Kina ish-kryeministri i Italisë, Draghi vëren, se evropianët ndodhen përpara një "sfide ekzistenciale". Pa produktivitet më të lartë Evropa nuk mund "të jetë lider në fushën e teknologjive të reja, as një fanar në përgjegjësinë për klimën dhe një aktore e pavarur në skenën botërore". Edhe modeli social evropian nuk mund të financohet më. Shkruan italiani në analizën e tij strategjike. 

"Investimet masive detyrimisht të nevojshme"

Draghi i bën thirrje BE-së për investime masive në ekonomi, mbrojtje dhe mbrojtjen e klimës. Të nevojshme janë edhe "investime minimale vjetore shtesë në vlerën 750 deri në 800 miliardë euro", këshillon ai. Për t'ia arritur këtij qëllimi ish-shefi i BQE-së rekomandon marrjen e borxheve të reja në bashkësi ashtu sikurse u veprua së fundi në rastin e pandemisë së koronavirusit.

Edhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen i konsideron instrumentet për financimin e bashkësisë si të rëndësishme. Por është i mundur edhe përdorimi i mjeteve financiare të vendit përkatës, ku bëjnë pjesë doganat e importeve dhe kuotizacioni në BE për plastikën, tha von der Leyen e pyetur lidhur me rezistencën e qeverisë gjermane kundër borxheve të reja në bashkësi. Lidhur me këtë duhet të vendosin vendet anëtare të BE-së.

Gjatë kohës së pandemisë BE organizoi një paktë ndihme të financuar me kredi në vlerën e 750 miliardë eurove. Vendet si Italia dhe Franca qysh atëherë kërkojnë një paketë të re duke iu referuar rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe mbrojtjen e klimës. Por Gjermania dhe Holanda borxhet e reja në bashkësi i konsiderojnë si vijë të kuqe.

"Politika për klimën duhet të koordinohet më mirë"

Duke iu referuar sektorëve me emisione gazrash të dëmshme për klimën si në industrinë e rëndë dhe transport, Draghi rekomandon për BE-në, që ta rregullojë më mirë politikën për klimën. Nëse të gjitha masat politike harmonizohen me objektivat për klimën, është "shumë e mundshme, që pakësimi i emisioneve të dioksidit të karbonit, dekarbonizimi në atmosferë, të jetë një shans për rritjen ekonomike", tha ai në një konferencë shtypi.

Von der Leyen dëshiron që ta bëjë BE-në me programin Green Deal deri në vitin 2050 neutrale ndaj klimës, kjo do të thotë, që Evropa të mos emetojë më shumë gazra të efektit serë nga sa mund të kursejë. Përpara zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së politikania kristian-demokrate gjermane, von der Leyen, në qershor e ndodhur nën presionin e konservatorëve dhe liberalëve, deklaroi se do të bëjë disa lëshime lidhur me kushtet e vendosura për mjedisin.

/rtsh.al/