RTSH 24 Live

Politikë

Drafti për Asociasionin, Rama: S’jam konsultuar me Kurtin, jemi në një linjë me SHBA, BE, Francën dhe Gjermaninë për Kosovën

09/06/2023

Drafti për Asociasionin, Rama: S’jam konsultuar me Kurtin, jemi në një linjë me SHBA, BE, Francën dhe Gjermaninë për Kosovën

Drafti për Asociasionin në Kosovë, i paraqitur nga kryeministri Edi Rama, në Bruksel, si dhe në 2 qendrat kryesore të politikës evropiane, Paris dhe Berlin, ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të politikës kosovare, por edhe të mediave.

Gjatë një interviste me gazetën “Nacional”  të Kosovës, kreu i qeverisë shqiptare ka sqaruar se për draftin në fjalë nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se nuk ka komunikuar me të edhe pas dërgimit të draftit në Berlin dhe Paris.

Përgjatë intervistës, Rama ka publikuar edhe arsyet se pse paraprakisht nuk është konsultuar me Kosovën për këtë çështje. Sipas tij, “shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë vëllezër, por kanë shtete të ndryshme”.

Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka nënvizuar se shteti shqiptar është në një linjë me SHBA-në dhe BE-në për situatën e fundit në veri.

Shqipëria në këtë rast, është tërësisht në një linjë me SHBA-të dhe BE-në, me Francën dhe Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bëjnë autoritet e Kosovës. Shqipëria kontributin e saj saj nuk mund ta jap në këtë proces, përveçse duke qenë shumë etike në raport me aleatët dhe pozicionin e vet. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol “të hedhim gurin dhe te fshehim dorën”. Në sensin që t`i konsultojmë këto gjera përpara dhe pastaj të bëjmë sikur nuk kemi konsultuar”, është shprehur Rama.

Ai ka mohuar mundësinë që në Kosovë të ketë luftë, pasi, sipas tij, “Serbia nuk mund të bëj luftë me SHBA-të”.

Kjo është gjëja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harru, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të tërë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombetarisht nga të gjithë. Kështu që, çfarë do të bëj Serbia? Do të sulmojë Amerikën?”, është shprehur Rama.

/rtsh.al/