Gjatë javëve të fundit SPAK ka thirrur një sërë figurash politike për dosjen e “21 Janarit”.
I pyetur sot nga mediat nëse është thirrur nga SPAK për detyrën që ka mbajtur më 21 Janar 2011 si Ministër i Brendshëm, Basha deklaroi se është i gatshëm të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kurdo që do ta thërrasin.
Ai u shpreh se nuk i frikësohet asgjëje, pasi nuk ka shkelur asnjë ligj.
“Jo s’kam thirrje. Unë në çdo rast mbetem në dispozicion të drejtësisë dhe SPAK sepse kjo është çështje detyrimi i çdo qytetari dhe duhet të marrë fund epoka e imunitetit parlamentar.
Për këtë kemi vendosur para parlamentit edhe propozimin për të hequr imunitetin e deputetëve.
Frikë kanë e duhet të kenë ata që kanë shkelur ligjin. Në 20 vite angazhim në politik, ligji dhe zbatimi i tij kanë qenë për mua prioritet kryesor. Ky është konflikti që kam me gardën e vjetër”, u shpreh ai, ndërsa komentoi më tej edhe arrestimin e ish-deputetit Ervin Salianji për “kallëzim të rremë”.
Basha e konsideroi vendimin me 1 vit burg ndaj Salianjit si tejet absurd.
“Vendim absurd që një deputeti ti hiqet mandati dhe të çohet të vuajë dënimin 1 vit nën akuzën e kallëzimit të rremë kur subjekti u provua se ishte si u denoncua: një i arratisur nga drejtësia.
Unë e shpreha në mënyrë shteruese qëndrimin tim. Motivet dhe aktorët janë politikë. I dënuari që i iku dënimit dhe pas këtij denoncimi u çua në mënyrë klandestine në Itali është vëllai i një ish-ministri të brendshëm dhe drejtësie dhe aktorët janë të njëjtët që morën të njëjtin vendim me ngarkesë të madhe politike, janë të njëjtët gjyqtarë”, u shpreh ai.
/rtsh.al/