RTSH 24 Live

Politikë

Trump shpalli terroriste kartelet e drogës- Berisha: Mbështetje për shqiptarët që përjetojnë neodiktaturën e Ramës

17 orë para

Trump shpalli terroriste kartelet e drogës- Berisha: Mbështetje për shqiptarët që përjetojnë neodiktaturën e Ramës

Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se opozita është e zotuar të bashkëpunojë me Partinë Republikane amerikane pas rikthimit të Donald Trump në ‘Shtëpinë e Bardhë’ .

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se “PD është shumë e inkurajuar nga zotimi i presidentit Donald Trump për të shpallur grupe terroriste të karteleve të drogës”

Sipas tij, kjo është një shenjë ndaj regjimit të Edi Ramës siç e quajti ai.

PD është shumë e inkurajuar nga zotimi i presidentit Donald Trump për të shpallur grupe terroriste të karteleve të drogës. Ky zotim është një mbështetje tejet e çmuar për qytetarët shqiptarë, që përjetojnë narkodiktaturën e Edi Ramës dhe klaneve rajonale e ndërkombëtare të drogës, me të cilat ai ndan pushtetin. Duke përfunduar, PD si një partnere dhe mike e vërtetë e Partisë Republikane dhe SHBA që nga themelimi i saj, i dërgon sot presidentit të 47 të SHBA, Donald Trump, urimet më të përzemërta për sukseset më të mëdha në udhëheqjen e vendosur e vizionare të SHBA në interesin më të mirë të vendit, udhëheqës të botës së lirë, miqve dhe aleatëve të tij në mbarë botën”, ka theksuar Berisha.

Ish-kryeministri ka theksuar më tej se PD u përball “këto vite me përpjekjet korruptive të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros kundër saj, me angazhimin direkt të diplomacisë së ndikuar nga Sorosi në persekutimin e udhëheqjes politike të kësaj partie, përpjekjen për shndërrimin e saj në fasadë-opozitë dhe asgjësimin e saj. Por, me gjithë këto, PD qëndroi dhe është sot e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane, administratën e presidentit Donald Trump për marrëdhëniet me të ngushta miqësore midis dy vendeve dhe dy kombeve tona”.

/rtsh.al/