RTSH 24 Live

Politikë

Diaspora voton, KQZ: Mbi 50 mijë të regjistruar, miratohet gjysma e kërkesave

11 orë para

Diaspora voton, KQZ: Mbi 50 mijë të regjistruar, miratohet gjysma e kërkesave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përditësoi të martën shifrat zyrtare të numrit të votuesve nga jashtë të regjistruar deri tani. Sipas të dhënave, numri i të regjistruarve ka arritur shifrën 50.399, ndërsa deri në orën (18:30) të së martës janë miratuar edhe 24.052 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 32.270 (64.0%) kërkesa, ndërsa femrat janë 18.129 (36.0%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 14.526 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 13.957 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 9.539 dhe mbi 56 vjeç janë 7 400 kërkesa për regjistrim.

Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 4.977 të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 14.845 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 16.730, e ndjekur nga Greqia me 12.662, Gjermania me 7.010, si dhe nga SHBA me 4.431.

Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 10.191, më pas bashkia e Fierit me 8.070, Korça me 5.981, Durrësi me 4.234 etj.

Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar prej disa ditësh dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

/rtsh.al/