14 vite nga protesta e 21 Janarit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, asokohe kryeministër i vendit, u shpreh të martën se ngjarja po përdoret për qëllime politike dhe ai nuk e ka penguar hetimin.
"Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 viteve, siç pretendoni ju, apo ata që mendojnë si ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate.
Pra me datën 21 janar të vitit 2011 dhe në mënyrë të përsëritur.
Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen, kam kërkuar një hetim ndërkombëtar.
Kam kërkuar jo hetim, por hetim ndërkombëtar të çështjes.
Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike.
Së treti, edhe njëherë ka një deklaratë të qeverisë së SHBA, në të cilën kërkohet hetimi që nga polici tek organizatori që publikisht dhe botërisht është Edi Rama.
Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duhet t’i përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vite, prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ishte Ina Rama prokurore, që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar.
Dhe pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorë nga Arta Marku, Olsi Çela etj. njeri tjetër përveç Edi Ramës nuk i ka penguar ata të hetojnë në çdo aspekt.
Por përdorimi politik i kësaj ngjarje tragjike, ku u sollën për qëllime të mirëfillta politike, për të pushtuar kryeministrinë Edi Rama, se donte sipas shumë gjasave të mbante edhe një fjalim, është totalisht dëshmi e keqpërdorimit total të kësaj ngjarje kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e organizatorëve që sollën njerëz në një protestë, më të dhunshmen që ka pasur Shqipëria në 32 vite," u shpreh z. Berisha në një deklaratë për mediet.
Një koment, kryedemokrati pati dhe për rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, teksa në emër të PD-së i uroi suksese dhe theksoi se do të këtë një bashkëpunim të ngushtë me administratën e re.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/