RTSH 24 Live

Politikë

Dita e Pavarësisë së SHBA, Begaj: Shqiptarët e çmojnë miqësinë me popullin amerikan

27/06/2024

Dita e Pavarësisë së SHBA, Begaj: Shqiptarët e çmojnë miqësinë me popullin amerikan

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë të enjten në pritjen me rastin e Ditës së Pavarësisë të SHBA-së. Në fjalën e tij Begaj u shpreh se, kjo datë qëndron në historinë e njerëzimit si monument i përkujtimit dhe nderimit të vlerave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Në vitin 1776, themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bënë një deklaratë të guximshme: “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, kanë të drejta të patjetërsueshme si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë””., tha kreu i shtetit.

Begaj theksoi se, Shqipëria është frymëzuar thellësisht nga parimet amerikane të lirisë dhe demokracisë.

“Marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të këtyre parimeve dhe e ndikimit të thellë që ato kanë në përcaktimin e fatit të një kombi, kombit tonë”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit nënvizoi se, miqësia historike midis dy popujve tanë mbështetet te respekti i ndërsjellë, vlerat dhe angazhimet e përbashkëta për paqe e prosperitet.

“Shqiptarët kanë ditur ndër shekuj të ruajnë të pandryshuar kodin e tyre të shenjtë të miqësisë, mirënjohjes dhe të besës me mikun. Shqiptarët nuk i harrojnë kurrë ata që i kanë ndihmuar, u janë ndodhur pranë e u kanë dhënë dorën në ditë të vështira”, theksoi Begaj.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara ishin pranë nesh në fillim të shekullit të 20-të, kur Shqipëria po kërkonte të bëhej “në vehte, e lirë dhe e mosvarme.

“Presidenti Ëilson ishte avokati më i fortë i të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje dhe ruajtjes nga copëtimi. Qëndrimi i tij ishte jetik për shtetin shqiptar. Kjo mbështetje dhe miqësi nuk përfundoi këtu. Pas gjysmë shekulli izolim, Amerika erdhi e para për të na mbështetur, udhëzuar e ndihmuar në ngritjen e një sistemi të ri, të lirë, demokratik e pluralist”, u shpreh Begaj.

Krei i shtetit nënvizoi se Amerika ishte sërish aty, pranë shqiptarëve, në pranverën e 1999-s. NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndaloi gjenocidin serb dhe i hapi rrugë krijimit të shtetit të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara ishte jetike për çlirimin e Kosovës dhe se ky veprim vendimtar solli jo vetëm paqe në rajon, por përforcoi edhe parimet e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Kreu i Shtetit u shpreh më tej se, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kjo mbështetje ka qenë thelbësore në forcimin e institucioneve demokratike e shtetit ligjor, promovimin e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sigurisë sonë. Një nga kontributet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri mbetet reforma në drejtësi, thelbësore për shëndetin e demokracisë sonë  dhe rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Begaj.

Sipas tij, Shqipëria është një vend që, nën dritën e së shkuarës, përpiqet të analizojë me pjekuri të tashmen, për t’u orientuar më mirë në të ardhmen e saj.

“Shqipëria mbetet thellësisht e përkushtuar për të forcuar me shtysa të reja dhe rezultate konkrete partneritetin tonë strategjik, nga koordinimi i ngushtë politik, në forcimin e shtetit të së drejtës, në zgjerimin e lidhjeve tona tregtare dhe investimet e dyanshme, në forcimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes, si edhe në intensifikimin e shkëmbimeve arsimore e kulturore”, tha Begaj.

Presidenti nënvizoi se, sot, në një botë të mbushur me pasiguri dhe sfida, marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet më e rëndësishme se kurrë. Peizazhi global karakterizohet nga një mori krizash, lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme, tensione gjeopolitike, paqëndrueshmëri ekonomike dhe kërcënime ndaj lirisë, demokracisë e të drejtave të njeriut. Në një botë kaq të paqëndrueshme, partneriteti ynë strategjik shërben si një shtyllë force dhe siguri e përbashkët.

“Vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë ishte dëshmi e forcës së këtij partneriteti. Sekretari i Shtetit ritheksoi rëndësinë e marrëdhënieve tona përballë ndryshimeve gjeopolitike e ri nënvizoi rolin e Shqipërisë si një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët e çmojnë miqësinë me popullin amerikan. Në qendër të kësaj miqësie është komuniteti i hershëm dhe i ri shqiptar në Amerikë, Diaspora jonë. Në këtë ditë të veçantë ne ju bashkohemi në përkujtimin e historisë suaj të pasur dhe parimeve tuaja të qëndrueshme. Le të nderojmë miqësinë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një miqësime rrënjë të forta në vlera dhe vizion të përbashkët për një botë të drejtë dhe paqësore. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, përfundoi fjalën e tij Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.