RTSH 24 Live

Aktualitet

Dita e Çlirimit të Kosovës, Meta: Na kujton se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia

12/06/2021

Dita e Çlirimit të Kosovës, Meta: Na kujton se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia

Presidenti Ilir Meta uroi sot Kosovën në Ditën e Çlirimit, duke theksuar se “Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo qytetar i saj kontribuoi dhe sakrifikoi, na kujton sot se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia”.

Kreu i shtetit shpreh falënderim dhe mirënjohje përjetë për NATO-s, SHBA dhe vendet demokratike mike, të cilat sipas tij “kurorëzuan këtë aspiratë shekullore dhe kontribuojnë sot për të ndihmuar zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.“Sot është dita për të nderuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë martirët e kombit shqiptar. Kosova, faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon, meriton të jetë anëtare e NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë”, – tha Meta teksa ka ndarë edhe një video nga 12 qershori i vitit 1999.

Presidenti Meta u shpreh se “Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme. Për të risjellë sot emocionet e veçanta të 12 qershorit 1999, po ndaj me ju raportimin e gazetarit të njohur, Asllan Bajrami, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë. Gëzuar ditën e paqes Kosovë e dashur”.