RTSH 24 Live

Sociale

Dita Botërore e Ozonit, Shqipëria fushatë informimi me të rinjtë dhe profesionistët

16/09/2024

Dita Botërore e Ozonit, Shqipëria fushatë informimi me të rinjtë dhe profesionistët

Në Ditën Botërore të Ozonit, Shqipëria u bë pjesë e aktiviteteve për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e shtresës së ozonit si dhe rrezikun nga ndryshimi i klimës. Njësia Kombëtare e Ozonit në Shqipëri e vendosi fokusin e aktiviteteve tek profesionistët dhe të rinjtë, për t’i informuar ata mbi rëndësinë e Protokollit të Montrealit, që konsiderohet si marrëveshja më e suksesshme mjedisore në nivel global, që ka ndikim direkt në shëndetin e njerëzve dhe në ekonominë e çdo vendi.

Shtresa e Ozonit ndodhet në Stratosferë, mes 10 dhe 40 km sipër sipërfaqes së Tokës, duke na mbrojtur nga rrezet e dëmshme ultraviolet të Diellit dhe duke bërë të mundur një jetë normale në Tokë. Disa kimikate industriale të prodhuara nga njeriu e kanë dëmtuar në vite shtresën e Ozonit, duke ngritur shqetësime serioze për mjedisin. Për t’iu kundërvënë këtij problemi global, vendet e botës u bashkuan dhe më 16 shtator 1987 miratuan Protokollin e Montrealit, një marrëveshje historike ndërkombëtare, që synon riparimin e dëmtimeve dhe mbrojtjen e mëtejshme të shtresës së Ozonit. Protokolli ofron një kornizë të qartë dhe të zbatueshme të obligimeve qe kanë vendet anëtare për eliminimin gradual të substancave që dëmtojnë ozonin.

Si një nga vendet aktive në zbatimin e Protokollit të Montrealit, Shqipëria është vendi i parë në rajon që miratoi edhe Amendamentin që lufton efektet e gazrave serë, i njohur si Amendamenti Kigali. Me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial, UNIDO, Njësia për Mbrojtjen e Ozonit në Shqipëri u ofron nxënësve, studentëve, ekspertëve të mjedisit dhe grupeve të interesit informacione mbi zgjidhjet që garantojnë reduktimin e substancave, të cilat shkaktojnë ngrohjen globale. Këto masa do të ndihmojnë në uljen e ngrohjes globale me 0.5°C deri në vitin 2100.

Në shkollën profesionale Karl Gega, ku u organizua një nga takimet e Njësisë për Mbrojtjen e Ozonit, u ndanë informacione dhe materiale sensibilizuese për rëndësinë jetike të shtresës së ozonit. Gjatë takimit, ajo që ra në sy ishte rritja e interest tek të rinjtë për t’u informuar më mirë dhe në mënyrë të vazhdueshme për këtë sfidë të rëndësishme të njerëzimit. Një bashkëpunim i frytshëm ishte edhe takimi i organizuar me Kolegjin Profesional të Tiranës me praninë e sipërmarrësve dhe teknikëve të sektorit të pajisjeve të ftohjes, gazrat e të cilëve konsiderohen si një nga armiqtë e shtresës së ozonit. Profesionistët e kësaj fushe u njohën me obligimet e vendit tonë për zbutjen e ngrohjes globale.

Si pjesë e axhendës botërore kundër ngrohjes globale, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt eliminimit të plotë substancave që shkaktojnë efektin serë dhe vazhdon të jetë e angazhuar për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare.

/rtsh.al/