RTSH 24 Live

Aktualitet

Diskutimet/ “21 janari” kalon në SPAK, Gjykata e Lartë: Regjistroni procedimin penal për të akuzuarit

12/03/2024

Diskutimet/ “21 janari” kalon në SPAK, Gjykata e Lartë: Regjistroni procedimin penal për të akuzuarit

Gjykata e Lartë ka vendosur që dosja e “21 janarit” të kalojë për hetim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit. Gjatë seancës së sotme ku u dëgjuan të gjitha palët, Gjykata e Lartë vendosi që kjo dosje të regjistrohet nga SPAK si procedim penal dhe të nisin hetimet për zgjedhjen e çështjes. 

Kanë qenë familjarët e protestuesit të vrarë Aleks Nika, të cilët kërkuan që kjo dosje të hetohet nga SPAK. Familjarët e Aleks Nikës kanë paditur Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ndrea Prendin dhe Agim Llupo për vrasjet e “21 janarit”, ku tashmë SPAK do të regjistrojë kallëzimet ndaj tyre.

Pas vendimit të gjykatës, familjarët e Aleks Nikës presin që drejtësia të vihet në vend. Gruaja e Aleks Nikës tha se kanë kallëzuar gjithë zinxhirin komandues duke nisur nga Sali Berisha.

“Realisht e prisnim e drejta fiton gjithmonë. Mundi dhe gjithçka kemi përjetuar u shpërblye më në fund. Kemi kallëzuar gjithë zinxhirin që është nga Sali Berisha dhe deri të më i vogli. Besoj dhe dua ta besoj se SPAK është krijuar për të hetuar më të fuqishmit. Audion me urdhrin për të qëlluar do e dorëzoj në SPAK”, tha ajo.

Diskutimet gjatë seancës

Avokati Idajet Beqiri tha se në kallëzim ka persona që janë kompetencë e SPAK për hetim dhe jo e Prokurorisë së Tiranës.

“SPAK ka bere rolin e të paditurit. Ne kallëzimin e kemi bërë konkretë bashkë me provat me dyshimet e arsyeshme që procedimi të regjistrohet e më pas të konkludohet me fillim ose mosfillim procedimi. I çuam rekursin dhe vendimin e Strasburgut, ku dalin elementë se kush është përzier në këtë krim shtetëror, por SPAK me këtë mosregjistrim ka vepruar në arbitraritet”, tha avokati.

Avokati Beqiri u pyet nga gjyqtari Sandër Simoni nëse “Strasburgu nuk ka referuar masë të posaçme dhe nëse me kërkesën tuaj a përmbushet fryma e Strasburgut?"

“Strasburgu ka konstatuar shkelje procedurale e materiale, ka vërejtur se hetimi vijon dhe kërkon zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Nikës dhe hetimin e personave përgjegjës. Thuhet po ashtu, ka mangësi ligjore të përdorimit të armëve që ishte jo proporcional. Shteti ka përgjegjësi për vrasjen”, tha Beqiri.

SPAK nuk pranon dosjen: S’ka fakte penale

Nga ana tjetër SPAK thotë se është prokuroria e Tiranës ajo që duhet të vijojë hetimet më tej, pasi nuk mund të fillojë hetim pa fakte penale.

“Pasi u njohëm me kallëzimin, vlerësuam kompetencat dhe funksionimin, pasi pa kushte dhe fakte penale nuk mund te fillojmë procedim penal. Është gjykata ajo që vendos për më tej. Është prokuroria e Tiranës që duhet të vijojë hetimet për dosjen.Nuk ka përgjegjësi penale apo regjistruar emri i ndonjë personi që është kompetencë e jona.”, tha prokurori i SPAK.

Gjyqtari Sokol Binaj tha se SPAK duhet të kishte regjistruar procedimin pasi nuk “ka pengesë që një çështje të hetohet në dy prokurori. Procedimi regjistrohet, shikohet se çfarë bëhet në prokuroritë e tjera dhe më pas merret vendimi”.

Me kalimin e dosjes në SPAK, do të nis zbardhja e të gjitha akuzave për urdhërim të vrasjeve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe.

/rtsh.al/