RTSH 24 Live

Sociale

Dimri "anormal" në Shqipëri, fermerët e Lushnjes: Dëmtohen kulturat bujqësore sezonale

23/01/2023

Dimri "anormal" në Shqipëri, fermerët e Lushnjes: Dëmtohen kulturat bujqësore sezonale

Kushtet atmosferike që po shoqërojnë këtë Dimër Shqipërinë po ndikojnë në dëmtimin e kulturave bujqësore sezonale. Radio Televizioni Shqiptar sjell historinë e një fermeri në Golem të Lushnjes, i cili rrezikon të groposë prodhimin e 7 dylym lakre, pasi prodhimi është çarë pa dalë në treg ndonëse ishte planifikuar që të eksportohej jashtë vendit.

Prodhimi i lakrës në këtë serë diellore në Golem të Lushnjes, është i gjithi i dëmtuar. Kokrat janë çarë kur arrinin pjekjen, ndërsa prodhuesi nuk arriti të marrë as paratë e kultivimit.  Fermerët këtë shkatërrim e lidhin me temperaturat e pazakonta të këtij dimri. Ilir Bejtja, tregon se sipërfaqja prej 7 dylymësh ishte për eksport.

Prodhimi do të eksportohej në fund të janarit, por temperaturat e pazakonta të këtij dimri sollën dëmtimin e prodhimit.

Sipas tij, brenda serës temperatur arriti deti ne 30 gradë celsius, ndërkohë që kjo kulturë e mbjellë nuk duron më tepër se 15 gradë. Dëmi ekonomik arrin rreth 15 mln lekë për 7 dylym lakër.

Fermeri ka arritur të shesë vetëm 20 përqind të prodhimit me 30 lekë për kg.  Sipas tij, nuk ia vlen të tregëtohet as me 25 lekë sepse nuk gjenë punëtorë  të paguhen nën 3000 lekë për një ditë pune. Në këto kushte ky fermer thotë se do ta groposë prodhimin.

Sipas specialistëve të bujqësisë në Lushnje, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga ngrohja globale  po sjellin dëme në bujqësi.

/rtsh/