I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, duke komentuar takimet që zhvilloi këtë javë u ndal tek marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve. Ai theksoi se duhet zbatuar nga të dyja palët.
“Kosova e Serbia duhet të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që të dyja duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, u shpreh Lajçak.
Duke përmendur udhëtimin në Beograd, ku takoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i dërguari evropian u shpreh se ishin vazhdimësi e përpjekjeve për të përparuar në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin të marrëdhënieve.
“Ashtu si edhe në Kosovë, trajtuam dhe çështje të tjera urgjente në dialogun e lehtësuar nga blloku europian”, shkroi Lajçak në Facebook.
Përfaqësuesi i BE vlerësoi si të dobishëm takimin e zhvilluar këtë javë me dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duke paralajmëruar se do t’i vazhdojë bisedimet edhe javët në vijim.
“Diskutuam për një sërë temash, Statutin e Asociacionit, planin zbatues të tij, energjinë, targat, zgjedhjet dhe personat e pagjetur”, shkroi ai.
Lajçak vlerësoi edhe takimin me liderin e PKD-së, partisë opozitare në Kosovë, Memli Krasniqi. “Diskutuam për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën e këtij vendi drejt BE-së,” u shpreh diplomati europian.
/rtsh/